Për mbrojtësin Esin Hakaj, Vllaznia ësh të ende e aftë për të luftuar në të dyja frontet. Pavarësisht distancës me Tiranën, ai shprehet se kuqeblutë nuk do të dorëzohen në luftën për titull derisa matematika të jetë në lojë. Hakaj, në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ka zgjedhur të mos i përgjigjet apo të bëjë replikë me ishmbrojtësin dhe trajnerin, Luan Zmijani.

Ky i fundit u shpreh pak ditë më parë se mbrojtja ka probleme, por Esin Hakaj vendos të mos komentojë shumë për këtë. Ish-mbrojtësi i të kuqve në sezonin e kaluar është i bindur se Vllaznia do të ketë vetëm një objektiv për takimin e së shtunës, që është fitorja. Ndërsa Partizanin e sezonit të shkuar, ku edhe bënte pjesë, e vlerëson më shumë se skuadrën e tanishme.


Pas një fitoreje ndaj Teutës, a pritet vazhdimësia ndaj Partizanit?

Normalisht që po. Ne do të kërkojmë që të vijojmë me rezultate pozitive. Do të bëjmë më të mirën për t’i fituar takimet e radhës duke nisur që nga ndeshja e së shtunës me Partizanin.


Pra, Vllaznia do vetëm fitoren ndaj Partizanit?

Pa asnjë diskutim që po. Ne në çdo takim kërkojmë maksimumin dhe të njëjtën gjë do të kërkojmë edhe ndaj Partizanit. Gjithmonë kemi bërë lojëra të mira me rivalë të fortë përballë. I tillë është edhe Partizani. Përherë të dyja skuadrat kanë dhënë më të mirën në fushën e lojës. Të tria rezultatet janë të hapura, por ne nuk e fshehim objektivin tonë për të marrë maksimumin ndaj Partizanit.


Vjet ishit pjesë e Partizanit, si e shikoni këtë skuadër në krahasim me atë të vjetshmen, kur ju ishit pjesë e saj?

Të jem i sinqertë, ajo skuadër ka qenë më e mirë sesa kjo e sotmja. Edhe rezultatet e kanë treguar një gjë të tillë. Partizani i një viti më parë ka qenë një skuadër më solide sesa kjo e sotmja.


Një ish-mbrojtës dhe trajner aktual, Luan Zmijani, është shprehur se edhe mbrojtja ka probleme. Keni koment për këtë?

Nuk dua të merrem me thëniet e askujt. Janë mendimet e tyre dhe mund t’i shprehin. Ne duhet të bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme punën tonë në fushën e lojës.


Po ashtu po shikohet si mision i pamundur arritja e Tiranës, pra për të luftuar për titull…

E thashë edhe një herë, çdokush ka të drejtën të thotë fjalën e tij. Unë vijoj që të jem i mendimit se ne do të luftojmë deri në momentin kur matematika nuk do të na lejojë që të jemi në luftë për titullin.