Eslit Sala ishte një ndër futbollistët më të spikatur të ndeshjes Vllaznia-Bylis, e mbyllur 3-0. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për këtë sukses, ku thekson se ekipi kuqeblu imponoi ritmin ndaj mallakastriotëve, duke merituar në fund fitoren.
Eslit, një fitore e rëndësishme kjo e fundit ndaj Bylisit apo jo?
Shumë e rëndësishme dhe duke parë që ishim në shtëpinë tonë duhet të bënim detyrën. Besoj se e merituam nga fillimi në fund, ku rrezikuam pak në portën tonë dhe ditëm të godasim kundërshtarin në pjesën e dytë, duke marrë 3 pikët, që janë shumë të rëndësishme për ne.
E radhës do të jetë kundër Dinamos, kundërshtar direkt. Si e pret Vllaznia këtë ndeshje?
Është një ndeshje e fortë, të cilën e presim me emocione pozitive. Ne do të përgatitemi si ndaj çdo kundërshtari edhe kundër Dinamos, me seriozitet dhe vendosmëri. Pastaj në fushë do të jepet maksimumi për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.