Shqipëria e vajzave do të luajë të premten e 7 prillit një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të kësaj sfide, ekipi kuqezi i vajzave, të drejtuara nga trajneri Armir Grima zhvilluan pasditen e djeshme seancën e parë stërvitore. Sakaq, këtë të enjte, skuadra zbriti sërish në fushë për të bërë përgatitjet e fundit në prag të sfidës me Maqedoninë e Veriut.
Mesfushorja kuqezi, Esmeralda Franja e konsideron mjaft të vlefshëm këtë takim kundër Maqedonisë së Veriut, ku sigurisht objektivi është jo vetëm konsolidimi i grupit, por edhe paraqitja pozitive e skuadrës. “Kemi zhvilluar stërvitjen e parë dje, jemi bashkuar të gjitha vajzat si grup.
Na duhej një ndeshje miqësore për të parë formën e ekipit dhe për të konsoliduar grupin dhe shpresoj që të kemi sërish në të ardhmen ndeshje të tjera miqësore për t’u përgatitur për ndeshjet e ardhshme. Kemi luajtur edhe më parë me Maqedoninë e Veriut, disa miqësore në fakt. Kemi fituar ndaj tyre dhe presim sigurisht që ta fitojmë edhe këtë ndeshje dhe të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze” – thotë për fshf.org mesfushorja kuqezi.
Sa është rritur niveli i Kombëtares së vajzave? – “Vit pas viti, ekipi ka njohur rritje të madhe, por që sigurisht kërkojmë që të rritemi akoma edhe më shumë sepse skena ndërkombëtare ka nivele shumë të larta. Por, me punë besoj se do t’ia arrijmë” – nënvizon Franja, ndërsa flet edhe për vajzat e reja që i janë bashkuar ekipit.
“Do vazhdojmë t’i presim shumë mirë edhe vajzat e tjera që do vijnë dhe të bashkohen me grupin sa më shpejt dhe të paraqesin edhe ato të njëjtat gjëra që ne kemi në skuadër” – përfundon për fshf.org mesfushorja kuqezi.