Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë sot një nga vendimet më të çuditshme e absurde të viteve të fundit teksa ka vendosur që ndeshjen e cila mund të vendosë titullin kampion ta drejtojë një gjyqtar i cili në fakt nuk i përket grupit të emrave që klasifikohen si elita e gjykimit në vendin tonë.
FSHF në mënyrë të pakuptimtë i ka besuar sfidën Teuta-Partizani gjyqtarit Olsid Ferataj e jo të paktën njërit nga gjyqtarët e FIFA-s.
Pritej që FSHF t’i kushtonte vëmendje shumë të veçantë kësaj sfide pasi është përcaktuese për sezonin në fjalë, por caktimi i Feratajt bën që dueli të shihet me një sy tjetër e për fat të keq ka krijuar të gjitha kushtet për paragjykimin e çdo vendimi të gabuar gjatë 90 minutave.
Evitimi i gjyqtarëve të FIFA-s në përzgjedhjen për këtë duel tregon se FSHF në rastin më të mirë nuk u beson aftësive të tyre e në rastin më të keq u eviton një “gjyq” nga ndërkombëtarët në rast gabimesh, meqë ndeshje të kësaj rëndësie monitorohen nga FIFA dhe UEFA. /VipSport/