Tifozët e futbollit nga e gjithë bota kanë mbushur me ngjyra nga më të ndryshmet rrugët e Rusisë në prag të nisjes së Kupës së Botës.
Të mbërritur që nga Peruja e deri te Arabia Saudite e Irani, mbështetësit e skuadrave pjesëmarrëse kanë ndezur atmosferën para se në fushë të fillojë të luhet futboll.
Duke kënduar e brohoritur kanë bërë që ethet e Botërorit të ndihen në Moskë e qytetet e tjera ku do të luhen ndeshjet e kompeticionit më magjik në botë.
Turneu nis nesër me ndeshjen Rusi-Arabi Saudite, por tifozët nuk presin dot ditën kur do të luajë skuadra e tyre.
Gjermania, kampione në fuqi, por edhe Brazili, Franca e Argjentina duken skuadrat për t’u mundur, por për sa i përket tifozerisë, të paktën deri tani, vendin e parë e mbajnë ato nga Amerika e Jugut, me peruanët e kolumbianët që kryesojnë.
Botërori i 21-të do të luhet në 12 stadiume në 11 qytete ruse të shpërndara në mbi 2000 kilometra distancë.
Në total pritet që më shumë se 500 000 tifozë nga e gjithë bota të mblidhen në Rusi përgjatë muajit të Botërorit, ndërsa teleshikuesit në të gjithë globin llogaritet të shkojnë deri në mbi 3 miliardë persona./EDS/