Liverpool vazhdon të ëndërrojë pas fitores së marrë kundër Chelsea-t, që ka lejuar skuadrën e Klopp të vazhdojë ndjekjen për një titull në Premier League që mungon prej 29 vitesh.
Ecuria e “Reds” dhe “Citizens” (në vend të dytë me dy pikë disavantazh, por një ndeshje më pak) lë të kuptohet se gara për titullin do të vazhdojë deri në javën e fundit të kampionatit, kur City do të luajë në fushën e Brighton dhe Liverpool do të presë Wolves në “Anfield”.
Siç ka bërë të ditur “The Sun “, ethet për titullin kanë bërë që shumë tifozë të humbasin arsyen dhe të jenë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të qenë të pranishëm në kurorëzimin e mundshëm të Liverpool-it 12 majin e ardhshëm.
Në faqen “Football Live Tickets” disa bileta mësohet të jenë shitur rreth 6.500-7.000 euro secila në zonën e “Longside Lower Central”. Ndërkohë, çmimi më ekonomik është 700 euro. Gjithsesi, në faqen zyrtare të klubit gjërat janë ndryshe: bileta më e shtrenjtë, në fakt, kushton 80 euro. Një diferencë e madhe që nuk ka kaluar pa u vënë re.
Kjo rritje e çmimeve ka zemëruar tifozët e Liverpool, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në rrjetet sociale. Njëri prej tyre ka shkruar: “Është një gjë e neveritshme”. Një tifoz tjetër i “Të Kuqve” është dukur i dorëzuar: “Realiteti i ashpër”. Të tjerë kanë ftuar Liverpool-in “që të ndalojë shitjen e biletave nga kjo faqe”.
Këto polemika janë ndezur në javën që Liverpool dhe City duhet të harrojnë për një moment Premier League-ën dhe të mendojnë për Champions League-ën: “Reds” do të luajnë në fushën e Porto-s të mërkurën në mbrëmje pas fitores 2-0 të marrë në çerekfinalen e parë, ndërsa City do të duhet të përmbysë në shtëpi humbjen 1-0 të pësuar kundër Tottenham.
Këto përballje mund të ndikojnë në ecurinë e dy ekipeve në kampionat dhe pyetja që lind është: A do të shpenzonte njeri një shumë të çmendur për të marrë pjesë në realizimin e një ëndrre që mund të kthehet në një makth? /telesport/