E krijuar para 24 vitesh Ada ka krijuar tashmë emrin e saj në futbollin shqiptar teksa nuk i kanë munguar edhe arritjet, fitoret e mëdha ndaj emrave të tillë si Dinamo e Partizani, e përpos kësaj, gjithmonë ka qenë një strehë për shumë futbollistë shkodranë të cilët e kishin këtë skuadër si trampolinë për të kaluar më pas në ekipe të tjera.

Por duket se pas pak vitesh gjërat do të ndryshojnë. Krijimi i Akademisë Ada jep shpresën e një perspektive të qartë të kësaj skuadre dhe shumica e saj do të jetë e përbërë nga futbollistë të kësaj zone. Një mision të tillë ka marrë përsipër ta çojë përpara një emër shumë i njohur, Etrit Nika.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ish- futbollisti i njohur që tashmë po bën rolin e trajnerit, flet me shumë entuziasëm për perspektivën e futbollit velipojak. Ndiqeni më poshtë intervistën me të:

– Etrit, si ka qenë ecuria e Akademisë Ada në këto vite të krijimit të saj?

Do ta konsideroja shumë të mirë. Në 4 sezone që ne marrim pjesë në kampionatet e Ligës Amatore, kemi konkurruar me 4 ekipe. Në dy vitet e para kemi marrë pjesë me U9, U11, U13 dhe U15, ndërsa në dy vitet e fundit kemi marrë pjesë me U9, U11, U13 dhe U17. Me ekipin U9 kemi dalë dy herë kampion në sezonet 2017-2018 dhe 2018-2019 ndërsa në sezonin 2019-2020 kemi dalë nënkampion me U9 dhe U11.

E veçanta është se këtë vit kemi disa lojtarë të ekipit U17 që i kemi aktivizuar edhe me ekipin e parë të Adës, madje njëri prej tyre, sulmuesi Roland Shkreli ka shënuar edhe gol në ndeshjen e play-out ndaj Valbonës.

Pëpos kësaj, me ekipin U9 dhe U-11 kete sezon kemi edhe goleshenuesit me te mire te kampionatit, konkretisht te U9 Jurgen Gjeloshi me 49 gola dhe te U11 Emiljano Mani 38 gola. Besoj se këto arritje nuk janë pak, megjithatë nga viti në vit pretendojmë të rritemi në cilësi.

– Cili është synimi i punës tek Akademia Ada?

Synimi yne esht aktivizimi i femijeve. Dhe ne nje te ardhme te afert, ekipi i te rriturve te kete 70 per qind te lojtareve vendas.


– A ka diçka të veçantë tek kjo Akademi?

Mund të veçoj atë se ndryshe nga të gjithë Akademitë e tjerë që funksionojnë aktualisht në Shkodër, vetëm kjo e jona është e përbërë tërësisht nga futbollistë vendas, pra janë të gjithë nga Velipoja.

– A ka interes nga fëmijët dhe të rinjtë e Velipojës për t’u marrë me futboll?

Aktualisht kemi rreth 90 fëmijë të rregjistruar. Ka interes sepse shumë prindër e kanë kuptuar që më mirë t’i çojnë fëmijët në stërvitje sesa t’i lënë në shtëpi në celularë dhe kompjuter. Përpos kësaj, ka edhe shumë prindër që janë shumë këmbëngulës që fëmijët e tyre të ecin përpara me futbollin dhe kjo është shumë pozitive. Të katër ekipet i kemi të kompletuar me nga dy palë uniforma loje, si asnjë ekip tjetër në këtë kampionat. Kjo falë dy sponsorëve tanë, Nard Zefit nga Italia dhe Gjovalin Lishës nga Anglia.

– E fundit, do të vazhdojë Etrit Nika të punojë me moshat?

Patjetër sepse me to ndihem shumë mirë.
www.shkodrasport.com