Në Shqipëri janë të pakët ata që e kanë liçensën “Pro” të trajnimit, më e larta si nivel që njihet nga UEFA dhe FIFA. Për më shumë, numri e trajnerëve që e kanë atë në Shkodër, është edhe më i vogël. Por ajo çfarë kemi “zbuluar” është se një shkodran e ka këtë liçensë por jo në vendin e tij. Ai është Eugent Zeka, shkodrani 38 vjeçar që jeton, punon dhe drejton një ekip sportiv në Itali. Zeka është larguar nga Shqipëria në moshën 24 vjeçare pasi ka kryer studimet e larta në Tiranë dhe duke mos patur ndonjë karrierë të suksesshme si futbollist, vendos të emigrojë në Itali. Atje ku ka kryer të gjitha kurset e specializimit. Sot punon tek skuadra Sestri Levante, që për koinçidencë ndoshta ka ngjyrat kuq e blu dhe vitin e themelimit- 1919, njëlloj si Vllaznia, skuadra e zemrës për Eugentin.
Në intervistën e tij për gazetën online www.shkodrasport.com, po mundohemi të sjellim gjithçka që ka të bëjë me këtë shkodran të mirë që asnjëherë nuk i ka shkëputur marëdhëniet me qytetin e tij të lindjes. Kush është, çfarë ka bëri në karrierën e tij si sportist, cilën skuadër drejton aktualisht dhe cilat janë dëshirat e mëdha të tij. Ja intervista e plotë me Eugent Zekën:
-Eugent, meqë është intervista e parë për gazetën tonë por edhe shtypin sportiv shqiptar në tërësi. Mund të na bëni një përshkrim të jetës tuaj?
Kam lindur në Shkodër në vitin 1974, janë shkolluar aty dhe më pas kam kaluar në Tiranë ku kam mbaruar studimet e larta. Jam marrë pak me sport por më shumë më ka pëlqyer trajnimi dhe mundësia më e mirë për ta ka qenë Italia ku jam vendosur para shumë vitesh dhe vazhdoj të jetoj.
-Kur je larguar nga Shkodra?
Mbaj mend që jam larguar në muajin qershor të vitit 1998, gjatë periudhës së kampionatit botëror në Francë.
-Je marrë me sport para se të largoheshit?
Kam praktikuar sportin e futbollit në Shqipëri dhe Itali. Në vendin tonë, kam luajtur në kategorine e dytë (që sot quhet kategoria e parë) për skuadrat: Studenti, Porto dhe Shkodra. Jashtë vendit jam aktivizuar në kategoritë jo profesioniste, për skuadrat e qyteteve ku kam jetuar dhe punuar, në Liguria: Chiavari, Rapallo, Villaggio del Ragazzo, Calvari dhe në Piemonte: Cambiasca e Verbania.
-Kur vendose t’i hysh fushës së trajnimit?
Pavarësisht se kam luajtur pranë skuadrave të lartpërmendura, kam pasur fatin e mirë të jem stërvitur, drejtuar e përgatitur nga trajnerë dhe profesorë të vërtetë të futbollit shqiptar, si Shyqyri Rreli, Bahri Ishka, Bujar Kasmi, Met Spahiu, Parid Beliu etj. Kjo edhe për faktin që unë kam studiuar dhe jam diplomuar pranë Universitetit të Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë. Janë pikërisht profesorët Shyqyri Rreli dhe Bahri Ishka (të pazëvendësueshëm në mendjen e zemrën time), që gjatë periudhës kur unë isha vetëm një student i thjeshtë, jo vetëm që më kanë nxitur e këshilluar vazhdimisht, por edhe më kanë bindur e ushqyer vullnetin e dëshirën që të ndërmarr e ndjek rrugën e trajnimit.
-Kemi parë fotot tuaja në Koverçiano me emra të mëdhenj. Meqë jeni specializuar në këtë qendër të mirënjohur, çfarë liçense zotëron dhe çfarë kursesh keni kryer në futboll dhe fusha të tjera?
Kam përfunduar me sukses të gjithë ciklin e studimeve dhe kurseve që mund të kryejë një trajner, pranë Shkollës së trajnerëve të Sektorit Teknik të Federates Italiane të Futbollit, në Koverçiano. Sipas rradheë, së pari, në vitin 2003 jam diplomuar si trajner i Akademive të Futbollit. Në vitin 2006, jam diplomuar si trajner i Bazës së Futbollit, liçensa “UEFA B”. Më pas, në 2008-tën jam diplomuar “trajner profesionist, licensa “UEFA A”. Dhe së fundi, në 2009-tën, kam përfunduar me sukses dhe masterin me titullin: Trajner Profesionist i Niveleve Maksimale, licensa “UEFA PRO”.
Në fusha të tjera, jam diplomuar me titujt: Mësues i Edukimt Fizik dhe i Profilizuar në Futboll, Ndërlidhës Shkollor Interkultural, si dhe Instruktor e Trajner në disiplina të ndryshme sportive (basketboll, atletikë, etj).
-Karrierën e trajnerit, me cilin ekip ke filluar së pari si trajner e më pas ku ke vazhduar?
Quhet Villaggio del Ragazzo, në Liguria, gjatë vitit 2000, skuadra ku unë luaja si futbollist dhe në të njëjtën kohë ndihmoja dhe akademinë e skuadrës, në rritjen dhe formimin e futbollistëve të moshave të reja. Më pas kam punuar pranë akademive të ndryshme si trajner dhe koordinator teknik. Ndër më të përmendurat skuadra, janë Verbania, Sestri Levante dhe Entella. Kjo e fundit, klub profesionist i Serisë C, ku kam dhënë kontributin tim vitet e fundit, përpara rikthimit tek Sestri.
-Pse zgjodhët Sestrin për të punuar tani?
Jam shumë i lidhur me këtë klub, ku kam punuar vite më parë, si në aspektet profesionale ashtu edhe në ato shoqërore. Për më tepër, këtë vit futbollistik është trajneri i Sestrit, ish- futbollisti i madh i Portos, Interit e Avellinos, braziliani George Juary, i cili më kërkoi të rikthehem e të bashkëpunoj ngushtë me atë për rindërtimin e akademisë dhe të skuadrës në të gjitha aspektet.
-Mos është ngjyra kuqeblu dhe viti i themelimit 1919 të Sestrit dhe që janë të njëjta me ato të Vllaznisë që ju shtynë më tepër të punoni tek kjo skuadër?
Nuk ju shpëton asgjë juve, gazetarëve, komplimente për ju. E vërtetë. Jane ngjyrat dhe datëlindja që më kanë tërhequr të simpatizoj edhe më tepër këtë skuadër, që përfaqëson qytetin ku unë jetoj prej shumë vitesh. Për më shumë, janë edhe tifozët shumë të zjarrtë e të thjeshtë, që i ngjasojnë atyre shkodranë, të cilët nuk e braktisin asnjëherë skuadrën e tyre të zemrës.
-Në cilën kategori merr pjesë Sestri?
Në Eçelenza këtë vit, me pikësynimin për t’u ngjitur në Serinë D vitin e ardhshëm e më lart ndër vitet në vazhdim. Për momentin, jemi në rrugë shumë të mbarë, pasi jemi në krye të klasifikimit që nga fillimi i kampionatit e në vazhdim.
-Çfarë detyre keni tek kjo skuadër, jeni trajner i parë?
Jam trajner i dytë, ndihmës i trajnerit brazilian Juary tek skuadra e parë. Për më tepër, jam trajner i skuadrës Juniores (Under 20) si dhe Koordinator Teknik i të gjithë Akademisë së Futbollit.
-Meqë jeni edhe përgjegjës për Akademinë, çfare bëni konkretisht tek Akademia e Sestrit dhe si punohet aty, cilat janë prioritetet e saj?
Detyra ime pranë Akademisë është jo vetëm ndërtimi i projektit dhe programeve të punës për secilat nga skuadrat e moshave, por edhe koordinimi i punës në fushën e blertë, përkrah të gjithë trajnerëve dhe instruktorëve, me të cilët bashkëpunoj në të gjitha drejtimet dhe hollësitë. Prioriteti i projektit tonë, është rritja dhe formimi i të rinjve si atletë të vërtetë në rradhë të parë, e më pas si futbollistë, duke kërkuar jo vetëm t’i edukojmë fizikisht ato, në mënyrë sa më korrekte, por dhe t’i dhurojmë e ushqejmë atyre një kulturë sportive sa më të gjerë.
-Cilat janë ambicjet tuaja të mëdha në karrierë?
Në futboll, jam shumë ambicioz dhe kam shumë mentalitet të hapur e fitimtar. Vazhdoj të studioj, punoj dhe kërkoj për të ecur sa më përpara dhe ngritur sa më lart në futboll. Pse jo, të ngrej sa më shumë trofe dhe të transmetoj gjithmonë vlerat e pastërta, të ndershme dhe korrekte të sportit.
-Ju vjen ndër mend të ktheheni një ditë dhe të drejtoni Vllazninë?
Të gjithë ato që më njohin, e dinë fare mire, që ëndërra më e madhe dhe e bukur e fëmijërisë time ka qenë të vesh fanellën e Vllaznisë e të ngre trofe të njyrosura kuq e blu. Kjo ëndërr nuk shuhet asnjëherë tek unë, përkundrazi është dhe bëhet përherë edhe më e zjarrtë dhe e fortë.
-A i mbani lidhjet me Shkodrën dhe Vllazninë, e ndiqni ecurinë e saj?
Patjetër, Shkodra është krenaria ime, pasi aty kam edhe rrënjët. Ndjek prej së largu Vllazninë dhe përjetoj atmosferën që rrethon atë, njëlloj sikur të jem atje. Kjo edhe për meritë të internetit dhe mjeteve të informacionit. Me këtë rast, gjej mënyrën për të përgëzuar sinqerisht, gazetën online www.shkodrasport.com, që ju drejtoni dhe përmes së cilës na dhuroni informacione të freskëta dhe të sakta anëekënd botës, ku ne ndodhemi.
-Çfarë mendoni për Vatën, një trajner që ka ardhur edhe ky nga jashtë për të drejtuar skuadrën shkodrane?
Kam shumë respekt dhe vlerësim për z.Vata, si ish- futbollist dhe si trajner sot. Mendoj që karriera e tij si futbollist i niveleve të larta, është një bazë e mirë për të ardhmen dhe suksesin e tij edhe si trajner. Mendoj që, duhet ndihmuar e përkrahur nga të gjithë dashamirësit e Vllaznisë, pasi është vetëm në interesin dhe në të mirën e së ardhmes të futbollit shkodran, profesionaliteti dhe serioziteti që z. Vata po punon t’ia transmetojë skuadrës tonë të zemrës.
-Së fundi, çfarë mendoni se mungon aktualisht tek futbolli shqiptar?
Kësaj pyetje dëshiroj t’i pergjigjem me një fjalë të vetme: Meritokracia.
Ne foto, protagonisti i shkrimit tone, Eugent Zeka bashke me trajnerin e mirenjohur italian Karlo Ançeloti