Humbja ndaj Egnatias në shtëpi riktheu me këmbë në tokë Kukësin, i cili pas disa rezultateve pozitive në kampionat nisi të “flirtojë” edhe me Europën.

Në fakt, përballja me rrogozhinasit u cilësua si një sfidë direkte për vendin e tretë, duke qenë se ishin vetëm tri pikë larg. Por, tani kjo humbje i largon akoma edhe më shumë me atë pozicion, që cilësohet si shpëtimi i sezonit, me verilindorët që duhet të shohin më shumë nga pas. Fakt, ku e ka vënë shpesh theksin edhe vetë tekniku Hallaçi, i cili për të mbajtur skuadrën nën tonus bënte thirrje që të mendohej vetëm për të siguruar mbijetesën.

ANALIZA – Ashtu siç pritej, për atë humbje ndaj Egnatias, e cila tregoi në njëfarë mënyre se Kukësi ka ende dobësi, në klub u krye një analizë nga ana e teknikut me ekipin. U vu theksi te gabimet që bënë lojtarët në këtë sfidë, ku për asnjë moment nuk dolën në lojën e tyre, duke sjellë më pas edhe humbjen në shifrat e thella, e cila e la Kukësin sërish në zonën e rrezikut. Në fakt, Kukësi ishte shumë larg asaj që ka treguar nën drejtimin e Hallaçit, me teknikun, që u kërkoi lojtarëve të rikthehen te lojërat e mëparshme.

Gjithsesi, kjo disfatë pritet të lihet pas dhe gjatë seancave stërvitore të kësaj jave do të punohet më imtësisht nga stafi teknik me gabimet që u bënë ndaj Egnatias. Nga ana tjetër edhe futbollistët pohuan se ishte thjesht një ditë e keqe dhe ai nuk ishte Kukësi i vërtetë, duke premtuar se shumë shpejt do të vijnë rezultatet që priten. E radhës është një betejë akoma edhe më e vështirë, pasi janë përballë kampionëve në fuqi dhe kryesuesve të Tiranës në “Elbasan Arena”.