Më datat 1-3 mars, në Glasgou të Skocisë, do të zhvillohet Kampionatin Europian i Atletikës për sallat e mbyllura. Në këtë event do të përfaqësohet edhe atletika shqiptare me vetëm 2 atletë.

Në garë për ngjyrat kuqezi në Europianin e “mbretëreshës” do të jenë atleti Izmir Smajlaj dhe atletja Luiza Gega.

Smajlaj do të garojë që më datyën 1 mars, në eliminatoret e garës së kërcimit së gjati, ndërsa më datën 3 mars do të zhvillohet finalja. Smajlaj, kampion Europe dy vite më parë (kërceu 8.08 metra, rekord kombëtar), synon të përsërisë të njëjtën gjë edhe në Skoci.

Forma e tij sportive duket e mire megjithate duhet te presim te shohim si do te shkoje gara. Atleti shkodran po kalon momente te mira dhe per kete arsye, do tentoje serish te futet ne zonen e medaljeve dhe pse jo, te thyeje serish rekordin kombetar.

Ndërsa Luiza Gega do të garojë në disiplinën e 3000 metrave. Pas medaljes së artë në Ballkaniadën e zhvilluar në Stamboll dy javë më parë, atletja kuqezi do të synojë zonën e medaljes edhe në këtë event Europian. Edhe Gega do të nisë konkurrimin e saj mbrëmjen e datës 3 mars.