Atleti Izmir Smajlaj ka mundur të kapë finalen e garës së kërcimit së gjati në Kampionatin Europian të Atletikës, turne që ka nisur sot në Berlin të Gjermanisë dhe përfundon më 12 gusht.
Shkodrani ka qenë në Baterinë A të eliminatoreve dhe ka kërcyer 7.71 metra në garat e zhvilluara të hënën pasdite.
Ky rezultat nuk ka qenë fort i mirë për atletin kuqezi (8.03 rekordi i tij, vendosur vjet në Bograd), por ka mjaftuar për ta çuar në finale edhe pse mes drithërimave.
Izmir Smajlaj u rendit i shtati në Baterinë A mes 15 garuesve (ishin 30 në total në të dyja bateritë). Rezultati 7.71 metra e ka renditur atletin shkodran në vendin e 12-të të klasifikimit të përgjithshëm, pozicioni i fundit që të jepte mundësinë për të shkuar në finalen e kësaj gare, ndërkohë që vendi i 13-të ishte vetëm 1cm më pak se shkodrani (7.70m).
Në eliminatore, Smajlaj pati 3 kërcime në dispozicion, duke dhënë 7.71 metra në kërcimin e parë, bëri faull në të dytin dhe më pas kërceu 7.60 metra në provën e tretë.
Gara finale e disiplinës së kërcimit së gjati do të zhvillohet më 8 gusht, ora 19:40. Më 10 gusht, nëEuropian do të garojë edhe atletja Luiza Gega, në bateritë e garës së 3000 metrave me pengesa.