Juventus-i dominoi Serinë A për nëntë vite radhazi, por në Europë u ndal dy herë në pikën më të bukur, një hap larg fitores në finale kundër Barcelona-s dhe Real Madrid-it.

Për ato kohë ka folur Patrice Evra. Francezi nuk është kursyer dhe ka kujtuar në podcast-in Stick to Football kohët e transferimit te bardhezinjtë.

“Nëntë vite te Manchester United kanë qenë si pushime në krahasim me Juventus-in. Intensiteti i punës ishte diçka që nuk kisha provuar kurrë.

“Vrapoja katër kilometra në ditë, Zidane më ka thënë se ka parë njerëz të villnin në stërvitje dhe e kam parë dhe unë. Pas ndeshjeve në Manchester lojtarët mund të hanin çfarë të donin, por në Itali mua më sillnin një racion të madh me ushqime dhe lojtarëve të tjerë racione më të vogla.

“Shkuam në kuzhinë me Pogba dhe kemi parë se fotografitë e çdo lojtari kishin kode me ngjyra për racione të ndryshme.

“Çdo dy javë bënim analizat e gjakut, donin të dinin se çfarë hanim dhe të vinin edhe në shtëpi për t’i thënë gruas dhe kuzhinierit se çfarë duhej të gatuante. Të gjobisnin nëse nuk bindeshe”.