Ka mbërritur me shumë vonesë në Shkodër për shkak të procedurës së marrjes të vizës, megjithatë menjëherë është vënë në dispozicion të stafit teknik.

Madje dëshira e tij e madhe për të debutuar me fanellën e Vllaznisë, ka bërë që trajneri Lika t’i japë disa minuta në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Korabit.

E kemi fjalën për sulmuesin nigerian Eziamaka Collins Ikenna. Në ato minuta që ka luajtur, ka spikatur me performancën e tij.

I shpejtë, i fortë dhe me shumë dëshirë, lojtari i sapoardhur tregoi se do jetë një element shumë i rëndësishëm për sulmin e Vllaznisë.

Të mos harrojmë se kemi të bëjmë me një futbollist i cili vetëm pas pak ditësh mbush 21 vjeç. Megjithatë tregoi më shumë dëshirë se të gjithë lojtarët e tjerë shkodranë të kësaj moshe.

Një shpresë më shumë edhe për stafin kuqeblu i cili të mos bazohet më vetëm tek loja dhe golat e brazilianit Zhunior, pasi tashmë do ketë edhe një alternativë më shumë për këtë repart, pikërisht Eziamaka Collins Ikenna.
© shkodrasport.com