Ish-trajneri i Milanit, Fabio Capello ka folur së fundmi për gjendjen e klubit italian. Capello shprehet besimplotë për aftësitë e Paulo Fonsecas, teksa nuk ngurron edhe ta paralajmërojë atë. Ndër të tjera, 78-vjeçari thotë se Fonseca deri më tani ka treguar personalitet duke lënë jashtë formacionit lojtarë si Theo apo Leao.

“Klubi duhet të kishte ndërhyrë duke thënë se trajneri nuk preket, por edhe vetë trajneri duhet të ndërhyjë te lojtarët, ai ka rolin më të rëndësishëm pasi është ai që duhet të rikrijojë harmoninë. Sot është e vështirë të mbijetosh pa rezultatet.

Por shpresoj se po, pasi Fonseca duhet të ketë kohë për t’i transmetuar idetë e tij. Deri tani ka dëshmuar forcë dhe personalitet duke lënë jashtë edhe lojtarë si Theo e Leao. Të luash pa ndihmuar në fazën e mbrojtjes nuk të çon askund”, tha Capello.