Luan si titullare me ekipin “Juban Danja- Murlani”, e po ashtu është edhe pjesë e kombëtares U19, por Fabiola Caka ka ëndrra të tjera për të realizuar.

Në një intervistë për “Shkodra Sport” ajo i ka zbuluara ato teksa ka thënë: “Dëshira dhe ëndrra ime është që një ditë të veshë fanellën e kombëtares së madhe, e po ashtu një tjetër ëndërr që unë kam patur që e vogël, është të veshë fanellën e skuadrës time të preferuar- Juventusit dhe të luajë në Seria A”.

Fabiola ka 7 vjet që luan futboll, sport të cilin vendos ta ndjek kur Emanuela Jaku e lajmëroi se kishte të stërvisë vajza të vogla dhe kjo e nxiti të shkojë dhe t’i bashkohet këtij ekipi. E prej asaj dite, nuk është shkëputur më për asnjë moment nga fusha e blertë, duke rendur gjithnjë pas topit.

18 vjeçarja e ka filluar futbollin tek ekipet e moshave të “Juban Danjes” dhe vazhdon të luajë me të edhe sot e kësaj dite. E pyetur se çfarë është kjo skuadër për të, Fabiola përgjigjet: “Juban Danja është familja e dytë për mua. Ai është një ekip që të bën të ndihesh komod, secili e ndjen veten si në shtëpinë e vet dhe kushdo që vjen është shumë i mirëpritur”.

Fabiola Caka ndërkohë sivjet ka filluar edhe studimet e larta dhe ka zgjedhur gazetarinë se e ka një pasion të madh edhe atë dhe me siguri që të ardhmen do ta ketë mes futbollit dhe gazetarisë. Hapat e parë në këtë të fundit tashmë i ka hedhur teksa është bërë pjesë e “Shkodra Sport” dhe padyshim që prej saj pritet shumë.

Për më tepër, për të mësuar për karrierën e saj, mund të ndiqni videon e mëposhtme: