Mbetet një emër i shquar i sportit shkodran dhe atij shqiptar, gjyqtar futbolli ndër më të mirët e vendit dhe po ashtu, një kuadër i nderuar që ka ndihmuar në arritjen e rezultateve të larta sportive si nga ekipet ashtu edhe nga sportistët.

Fahri Fani ka lindur në Shkodër më 31.12.1921. Ai nuk ka patur aktivitet apo stazh në futboll por që në moshë të re 16-17 vjeç ai ka ngritur skuadrën e futbollit me shokët e lagjes “Rus i Madh” e më vonë me shokët e tij ka ngritur ekipet edhe në lagjet Dudas, Kiras etj, duke u stërvitur në fushën e Lamijes, pranë shkollës së Zooteknikës.

Stërvitej bashkë me shokët e tij si Muhamet Dibra, Xhevdet Shaqiri, Ahmet Nuti, Tahir Puka, Rami e Isa Basha, Shefqet Halili etj. Në vitin 1942-43, me shokët e mësipërm si dhe me Pjerin Radovanin, Zef Berishën, Injac Gjelucin, Biter Shahinin, Ndue Palin etj (qershor 1942) kanë marrë pjesë në turneun e futbollit në Prizren, Pejë, Prishtinë ku u bë një aktivitet futbolli me sistem rrethi dhe Vllaznia zuri vendin e tretë ndërsa të parin e zuri ekipi i Prizrenit.

Aktiviteti u bë në Kosovë dhe trajner i ekipit shkodran kishte Qazim Laçej. Në këto dy vite, ekipi është mbajtur me vështirësi, ai është stërvitur në fushën e vjetër dhe në shtator të vitit 1943 Vllaznia ka zhvilluar një tjetër miqësore në Prishtinë dhe është mundur me rezultatin 1-2.

Edhe gjatë vitit 1944, Fahri Fani kujtonte se skuadrën e kishin mbajtur me vështirësi megjithatë herëpashere kanë zhvilluar edhe me skuadrën përfaqësuese të Shkodrës por ndeshja në fakt nuk ka përfunduar sepse disa nga futbollistët e ekipit të përfaqësueses i kanë rrahur kundërshtarët ngaqë ata ishin më superior në lojë dhe në rezultat!!!

“Në qershor të vitit 1945, kujton Fani, kemi shkuar në Cetinjë  të Malit të Zi për të zhvilluar ndeshje miqësore dhe të dyja ndeshjet e zhvilluara janë fituar nga vendasit me rezultatet 2-1 dhe 3-1. Pas kësaj periudhe skuadra nuk funksionoi ma sepse shumica e lojtarëve shkuan ushtar”.

Në vitin 1945 në Shkodër do të krijohej skuadra e Divizionit të dytë Ushtarak, efektiv i së cilës do të ishte edhe Fahrija dhe ka zhvilluar edhe disa ndeshje me Divizionin e Tiranës. Në vitin 1946 Fahri Fani do të transferohej në Tiranë, në repartin ushtarak dhe pas dy muajsh ka kaluar me ekipin e Partizanit por këtu nuk ka qëndruar shumë sepse është transferuar me punë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, Seksioni i Fiskulturës dhe i Sportit ku si shef zyre kishte Sabri Çelnikasin.

Puna e tij këtu ishte hartimi i të gjithë programeve fiskulturore dhe sportive të të gjithë reparteve ushtarake të vendit duke bërë edhe përkthime dhe nga gjuhë të huaja.

Në vitin 1947 ka mbaruar shërbimin ushtarak dhe është emëruar sekretar i Këshillit sportit të qytetit të Shkodrës (siç është tani klubi sportiv) dhe këtë punë e ka bërë deri në vitin 1982, vit kur ai do të dilte në pension.

Në vitet 1945 deri më 1965, ka qenë edhe gjyqtar futbolli jo vetëm në veprimtaritë lokale por edhe ato kombëtare ku ka mbajtur edhe kategorinë e parë si gjyqtar futbolli për tre- katër vjet me rradhë është cilësuar si një ndër 3-4 gjyqtarët më të mirë të vendit dhe në disa raste ka arbitruar si gjyqtar anësor dhe në ndeshje ndërkombëtare futbolli në Tiranë dhe në Shkodër.

Fillimisht në punën si arbitër ai është ndihmuar nga Qazim Dervishi dhe Ibrahim Dizdari.Gjatë gjithë karrierës së tij, Fahrija ka lexuar literaturë të huaj sportive dhe ta përkthejë atë në botime të ndryshme. Ndërkohë ka ndjekur edhe kurse kualifikimi si kuadër për fiskulturën dhe sportin.

Në vitin 1967 nga ana e Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve, i është akorduar titulli “Kuadër i dalluar në fiskuturë dhe sport”. Me këtë titull janë nderuar edhe emra të tjerë të shquar të sportit shqiptar si Avni Zajmi, Anton Mazreku, Feti Dizdari, Besim Hamdiu etj.

Pas daljes në pension, ai nuk heq dorë nga sporti duke e ndihmuar shumë klubin shumësportësh nga ana teknike dhe organizative.
Ka vdekur më 11 gusht 2005, në moshën 84 vjeçare por duke lënë pas një emër shumë të mirë tek të gjithë kolegët e tij, sportistët, trajnerët dhe sportdashësit. Të veçanta janë fjalët që thotë kampioni i mundjes, i njohur Dedë Bregu, për këtë figurë sportive.

“Fahri Fani është një njeri i pazëvendësueshëm në sportin shkodran me atë çfarë ka bërë për të. Kryesisht i fokusuar tek sportet e rënda megjithatë i ka ndihmuar të gjithë sportistët. Aq i përkushtuar ka qenë ky njeri saqë shkonte sa në njërën ndërmarrje në tjetrën për të parë sesi trajtoheshin sportistët.

Një njeri i kudondodhur. Një specialist i mirëfilltë, njeri që nuk ia pinte kujt një kafe por përkundrazi u mundonte ta ndihmonte pa asnjë interes, vetëm e vetëm që sporti të ecte përpara. Kuadro të tillë i mungojnë prej vitesh sportit shkodran dhe atij shqiptar”- ka thënë trajneri i mundjes Bregu.
Gjergj KOLA