Opinion nga Senad NIKSHIQI
Triumfator. Lotë gëzimi. Rrënqethje trupi. Ndjenja zemre për flamurin kuqezi. Krenar për tingujt e himnit Kombëtar. Ky është djali i Shkodrës, i Shqipërisë. Tempullin e Antalias e flakëroi me shqiponjën dykrenare. Në Turqinë ekzotike Erkand Qerimaj mbretëron me forcën e tij. Nga të rrallët ata shqiptarë që nuk e la vendin e tij për një jetë më të mirë, të gjithëve na jep një sinjal të fortë. Me besimin në ZOT e sigurinë në vetvete shkodrani ngre mbi supe 158 kilogramë njëherë e 190 kilogramë më pas. Me 348 kilogramë në dygarësh Qerimaj është Kampion Europe në peshëngritje. Vazhdon të jetë ai djali zemërluan që kurrë nuk dorëzohet e gjithë forcën e aftësinë e tij e shfrytëzon vetëm e vetëm për të nderuar Kombin e tij, Shqipërinë që aq shumë e do. Këtë Shqipërinë e përlyer ngado ta kapësh e përndrijnë të tillë shqiptar, të pakët në qarkullim. E ku ka më bukur të krenohesh me emra të tillë. Jo shumë larg në kohë një tjetër shkodran, gëzoi një Shqipëri të tërë. Elis Guri, ishte ai që u bë Kampioni i Botës në mundje. E tani radha është e Erkandit. Djali i cili që në rininë e hershme shpalosi forcën e talentin në ngritjen e peshave. Edhe pse i ri në moshë, mban mbi shpatulla një numër të madh medaljash e suksese, emocionet e të cilave duhen netë të gjata dimri për ti rrëfyer të gjitha. Njeriu i sakrificës, punës së ndershme, patrioti i pa epur, me gjak shqiptari e zemër shkodrani sfidoi një Europë të tërë përballë sëcilës aspak nuk u tremb, përkundër, mbizotëroi duke u kthyer tashmë për të disatën herë si hero në vendin e tij. La pas një mijë e një probleme a diskutime qesharake si përfitime pagesash a të tjera dallavere të krijuara nga injoranca politike që vetëm sa na thellon me stil në humnerën e madhe me justifikime të “demokracisë” a “integrimit europian”. Paditur se ende ka kësisoj ministrash a zëvendësminstrash primitivë për të mos folur pastaj për krerët e Bashkive a trimat që bëhen kryekomunarë. Djem si Erkandi e Elisi kanë hedhur prapa krahëve të gjithë këtë batak që mirë e dinë, e me një vendosmëri stoike sfidojnë këdo duke marrë të tilla medalje që fuqishëm vulosin historinë. Nëse dikush nuk e ka njohur fare Shqipërinë ose më keq e kanë njohur si zona e “zezë”e Ballkanit për bëmat e saj të padëgjuara më parë të rrjedhura nga politikbërësit, tani kanë mundësinë të dëgjojnë edhe histori të tilla që rivalizojnë fuqishëm anën tjetër të Shqipërisë, falë këtyra emrave si Erkand Qerimaj a Elis Guri. Ende gjithnjë e më shumë këta Kampionë Europe e Bote, na japin arsye të forta që jo vetëm me ata, jo vetëm me sportin që ata bëjnë por në tërësinë e shoqërisë shqiptare veçse padyshim ti mbështesim, të veprojmë si ata, të jemi si ata, të sillemi si ata. Edhe pse është e qartë që të gjithë ne s’mund të jemi Kampionë Bote a Europe, të gjithë ne kemi shansin që si ata, ta duam me zemër Shqipërinë, që si ata të veprojmë drejt me vendin tonë, që si ata gjithçka që kemi e gjithçka që mund ta bëjmë, ta bëjmë si ata. Pastër. E vetmja mënyrë për ta nderuar Shqipërinë e për ti dhënë një mundësi vetes, brezave pasardhës që Shqipëria nga ajo zona e “zezë” e Ballkanit të kthehet ashtu siç ka qenë njëherë e një kohë me njerëzit që e duan e punojnë për të, të kthehet në atë zonjën e bukur e të pastër mes Europës. Një merak e kam. Bashkia Shkodër nuk e di se çfarë do të bëjë me Erkandin. Thjeshtë sepse ka të njëjtin drejtues. Kryetar Lorenc Luka. E them se kujtoj një episod të disa viteve më parë kur Erkandi fitoi një nga trofetë e rëndësishëm në karrierën e tij dhe këtë e bënte për të disatën here. Kur i them kryebashkiakut Luka se a do të ketë ndonjë ceremoni a organizim, me ironinë që e karakterizon më tha: “sa herë që të fitojë Erkandi duhet ta presim ne? Rri more djalw. A thua se s’kemi punë tjera”. Kometin jua lë juve. Ky është fakti, mentaliteti e gjithçka tjetër e njerëzve të pushtetshëm. Nëse nuk bëjmë e nuk shtyhemi as për të rrallët në mesin tonë, ndoshta të vetmit, si Erkandi a Elisi, s’do mend pastaj se cila është situata për këdo tjetër në anët tona. Vetëm disa lekë që nuk e di a i mjaftojnë Erkandit vetëm për ushqimin e kujdesin mjekësor që ka nevojë një sportist i rangut të tillë janë shumë pak, madje madje hiçgjë. Ky djalë ka nevojë për mbështetjen e plotë të të gjithëve, aq më tepër të qytetit të tij, Shkodrës. Jam i sigurtë që shkodranët e çmojmë më shumë se askush se këtë e kanë treguar kur Qerimaj u shpall kohë më parë Kampion Europe për të rinj. Në stadiumin “Loro Boriçi”, i mbushur plot e për plot sepse ishte ndeshja hapëse e një sezoni futbollistik mes Vllaznisë e Partizanit, një Shkodër e tërë pa filluar ndeshja nën dritën shpuese të projektorëvë, u ngrit në këmbë për të nderuar 14-vjeçarin që vinte nga Franca me petkun e Kampionit të Europës. Duartrokitje të zjarrta e brohoritje që buçitën fuqishëm krijuan atë atmosferën ndezësese që unë e çdo shkodran tjetër vështirë ta fshijmë nga kujtesa apo të përshkruajmë ato ndjenja e atë moment mbreslënës. Sinjalin e parë e dha që para 10 vitesh, në pranverën e vitit 2002 dhe po në verën e atij viti në mes të Francës, shkodrani i vogël qartë tregoi se shpejt do jetë një emër i madh, medalist botëror. Ka dhënë gjithçka e ka marrë po ashtu emocionet e forta të gjithë shkodranëve e shqiptarëve brenda e jashtë vendit. Ndryshe nga politika. Ndryshe nga Bashkia e qytetit të tij që deri vonë e la edhe të pastrehë. Nuk e dimë se kur Kampioni gjigand i Shkodrës do ketë nderimin që meriton nga shtëpia e madhe e qytetit të tij, Bashkia. Nuk e dimë se kur do të ketë një palestër të paktën normale e jo me ata kushte mizerabël siç është aktualisht në Shkodër. Nuk e dimë se kur do të ketë kushtet optimale të përgatitjes për evente botërore. Nuk e dimë kur do të jetë i qetë në prag garash të tilla e nuk e dimë se kur do ti jepet ajo që i takon. Sëfundmi nuk e dimë se kur nuk do shohim atë Erkandin e revoltuar para çdo kompeticioni që në vend të jetë i qetë e të mendojë veç për sfidat që e presin, i duhet mediatikisht të apelojë e të nervozohet për çështje qesharake duke humbur përqëndrimin e duke trazuar mendjen e tij në vend që ti jepen e ti krijohen të gjitha mundësitë për të fituar atë qetësinë olimpike si një shtysë e fortë drejt sukseseve të mëdha, e domosdoshme për kësisoj sportistësh. Megjithatë ka ende mundësi ta kthejnë timonin sepse Erkandi ende vijon të jetë në piedestal. Duke u nisur nga eksperienca e deritanishme 10-vjeçare në të cilën Qerimaj është në majat më të larta kam një bindje të brëndshme se asgjë s’do ndryshojë. Për disa Erkandi do vijojë të konsiderohet me parëndësi siç ka ndodhur deri tani, ndërsa për ne të tjerët, hiç 200-300 shqiptarët e Ministrive e Bashkisë, do mbetet një hero i madh për të cilin sa të kemi frymë do jemi krenarë. 24-vjeçarin patjetër që e presin të tjera suksese e medalje ndërkombëtare. Ai do ketë nderimin e respektin maksimal. Do vuloset në histori si nga ata shqiptarët e mirë me kontribute të çmueshme. Një emër që do mbesë i trashëguar ndër breza. Ndryshe nga këta primitivët e paskrupullt që veç e hallakasin andej-këndej e që do harrohen e zhduken si ata gjallesat që ZOTI nuk u ka dhënë më shumë se 24 orë në jetën mbi tokë, Erkandi do mbetet shembulli i përkryer. Për gjithçka, përzemërsisht, më e pakta që mund të bëj është ti them: FALEMINDERIT ERKAND QERIMAJ! Merakun e fundit. A thua bën vaki që Bashkia Shkodër me kryetarin e saj të ketë një orë kohë, se aq shkon për një ceremoni zyrtare për të pritur e nderuar Kampionin Europës sapo të mbërrijë nga toka turke. Nëse nuk ndodh? Asgjë më shumë se turpi radhës. Fundja pse të “trazohen”. Çudia më e madhe tre ditë zgjat !