Opinion nga Blendi DIBRA

Ndodh që sa herë një ekip futbolli fiton meritat i marrin lojtarët ndërsa kur ekipi humbet të gjitha kritikat adresohen ndaj trainerit. Por kësaj rradhe në fitoren e arritur të Vllaznisë 1-0 në Durrës një meritë të padiskutueshme ka traineri Rudi Vata. Vlerat e kësaj fitoreje marrin përmasa të shumfishta për shumë arsye. Tekniku Vata duhet falenderuar pasi ishte pikërisht ai i cili u përball me një numër të shumtë kritikash për formën e ekipit, merkaton dhe rezultatet e dobëta të arritura.

Të gjithë sportdashësit e zjarrtë kuqeblu filluan të ndiheshin shumë inferiorë për lojërat e dobëta të ekipit dhe për mënyrën se si analistët “dashamirës” në Mediat qëndrore me shumë kënaqësi “përdhosnin” emrin e Vllaznisë, djepit të futbollit shqiptarë,  madje duke bërë edhe parashikime që rendisnin kuqeblutë si kandidate për të rënë nga kategoria. Ishte pikërisht traineri Rudi Vata i cili vazhdimisht besonte që ekipi që ai drejton ka aftësi dhe ka potenciale për të korrur rezultate pozitive si brenda dhe jashtë fushës. Prandaj sot falenderimet i takojnë pikerisht teknikut kuqeblu Rudi Vatës për karakterin e tij ngulmues, si dhe stafit dhe drejtuesve kuqeblu të cilët asnjëherë nuk e humbën durimin. I meriton Rudi Vata falenderimet  sot sepse fitorja nuk erdhi rastësisht. Ekipi ishte vendosur mjaft mirë taktikisht në fushë, ku në mbrojtje “diga” e krijuar me Krajën dhe Vuk nuk lejuan që durrsakët as ta shihnin drejt e në sy, të paktën njëherë portierin Vujadinovic, në mesfushë ndonëse akoma jo në kondicionet e duhura fizike binte në sy zgjuarsia e Bërnovic dhe lëvizshmëria e Moreno i cili përpiqej të mbyllte çdo boshllëk të krijuar, ndërsa në krahë motorët Smajli dhe Gocaj nga e djathta, Belisha dhe Popovic nga e majta përpiqeshin të mbështesnin sulmuesit, Jablan i cili lëvizi shumë këtë takim si dhe Hajdari i cili shpërdoroj disa herë raste të pastra shënimi. Kjo fitore ndaj kryesuesve të kampionatit të cilët ndër tre humbje që kanë pësuar dy i kanë ardhur nga ekipi kuqeblu, i rikthen “Vllaznisë” autoritetin e humbur dhe tifozëve kuqeblu krenarinë e mohuar për ekipin e tyre të zemrës. Tifozët kuqeblu sot kanë edhe një arsye më tepër të falenderojnë teknikun Vata pasi kjo fitore ishte një “hakmarrje” ndaj ekipit të Teutës e cila shpesh herë i ka hequr Vllaznisë titullin nga duart .  Prandaj fitorja ndaj kryesuesve të kampionatit merr vlera të shumfishta për Vllazninë duke i dhënë asaj autoritetin që i takon në kampionat dhe për këtë merita kryesore i përket Rudi Vatës ku tashmë të gjithë besojmë që është gjetur moduli dhe motivimi i duhur për të ngjitur shkallët e suksesit !