Viktor Osimhen ishte një nga goditjet brilante të Napolit që ktheu pas më shumë se tre dekadash titullin kampion falë kontributit të sulmuesit nigerian. Por tashmë transferimi i futbollistit në vitin 2020, po kthehet në një telash për klubin.
Prokuroria e Romës ka futur në listën e personave nën hetim presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis, me akuzën e falsifikimit të bilanceve financiare. Veprimi është kryer pasi në këtë prokurori janë kaluar dosjet e hetimeve nga ajo e Napolit, ku De Laurentis dhe klubi kampion në fuqi në Itali, po shqyrtohej për kalimin e Osimhen nga radhët e Lilës.
Dosja kaloi nga Napoli në Romë, pasi në kryeqytet është aprovuar bilanci financiar i klubit italian dhe aty është miratuar shifra e transferimit të tij prej 71 milionë e 250 mijë eurosh. Por Napoli pagoi asokohe vetëm 50 milionë euro, duke vlerësuar 21,25 milionë euro kartonin e transferimit të Karnezis dhe tre të rinjve të cilët më pas u zhdukën nga harta e futbollit të rëndësishëm (Liguori, Manzi dhe Palmieri).
Vlerësimi për kartonin e këtyre tre të rinjve është ajo që ka bërë të hapet hetimi, pasi dyshohet se është regjistruar një plusvalencë fiktive prej rreth 20 milionë eurosh nga kjo marrëveshje. Për këtë arsye, ndaj Aurelio De Laurentis, gruas së tij Zhaklin Bode, si dhe fëmijëve Edoardo e Valentina, është ngritur akuza e falsifikimit të bilanceve dhe deklaratave të rreme.
Kujtojmë se për çështjen e plusvalencave, Federata italiane dënoi Juventusin me heqjen e pikëve në kampionatin e kaluar, ndërsa ka hetime të ngjashme edhe për klube të tjera të cilat akuzohen se kanë vepruar në të njëjtën mënyrë si bardhezinjtë.