Zakonisht skuadrat e futbollit kanë nga tre uniforma për të përballuar pa probleme të gjitha ndeshjet që luhen përgjatë një sezoni.
Por skuadra ruse FC Rostov ka prodhuar edhe një të katërt, por që më shumë se sa e tillë, ngjan me një tapet. Fanellë apo tapet, quajeni si të doni, por ky është tapeti fatsjellës i Rostov…
Pasi skuadra i ka humbur të gjitha ndeshjet në shtëpi deri tani, një tifoz vendosi të sillte në stadium të dielën në ndeshjen kundër Yenisey Krasnoyarsk një tapet, dhe takimi përfundoi 4-0 për vendasit.
Tapeti me motive lulesh u valvit në shkallët e stadiumit dhe tërhoqi vëmendjen edhe të zyrtarëve të klubit, të cilët pasi morën vesh edhe për zhurmën e madhe që ishte bërë në rrjete sociale në lidhje me të, ftuan tifozin në qendrën stërvitore.
Pas kësaj, klubi vendosi të nxirrte në shitje për 2500 rubla, ose më pak se 32 euro, fanellën me dizenjon e veçantë. Por edhe pse ka pak gjasa që lojtarët ta veshin këtë uniform në një ndeshje, deri tani janë prenotuar online 500 copë…/EDS/