Abdurraman Fangaj ishte padiskutim protagonisti kryesor në sfidën mes Egnatias dhe Kukësit, e cila u mbyll me rezultatin 2-1 për vendësit.
Fangaj arriti të fitojë një penallti për Egnatian në pjesën e parë, por edhe kreu një ndërhyrje vendimtare kundër Rashitit në fraksionin e dytë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” mbrojtësi i djathtë u shpreh se ndihet i lumtur që po ndihmon ekipin e tij dhe se episodi me Rashitin nuk është penallti, pasi pretendon që ka prekur topin.
Kryet një ndërhyrje vendimtare kundër Rashitit, prekët topin apo sulmuesin kukësian?
Është një episod që ka marrë vëmendjen e opinionit sportiv momenti kur unë i ndërhyj sulmuesit të Kukësit, Rashitit. Kam vrapuar me besim dhe në fakt përpjekjet e mia u shpërblyen, pasi arrita të prek topin. S’i kuptoj pretendimet e kundërshtarëve që pretendojnë penallti për një rast kur unë duket që kap vetëm topin, pastaj edhe trupin e kundërshtarit.
Kë shihni ekipin që do të rivalizoni për titullin kampion?
Mendoj që dy ekipet e kryeqytetit Tirana dhe Partizani janë skuadra që tentojnë titullin në fund të sezonit. Egnatia do të luajë fatet e veta. Ne jemi ndërtuar për titullin dhe kemi të gjitha kapacitetet për të mbërritur te trofeu. Kemi dëshmuar që fitojmë dhe dominojmë çdo kundërshtar dhe kjo na jep besim se mund t’ia dalim.