I datëlindjes 12 tetor 1997, ai është rritur tek Akademia Vllaznia, por në fakt debutimin në Superligë e ka me
Tërbunin e Pukës. Ky i fundit, në janarin e vitit 2016 e mori në formë huazimi nga skuadra shkodrane për 6 muaj dhe
ai më pas u rikthye në Shkodër, me shpresën se do të kalonte tek ekipi i parë i Vllaznisë, por drejtuesit e stafit
teknik nuk i besuan aftësive të tij dhe për rrjedhojë, pasi mori dokumentacionin u largua drejt Laçit, aty ku po mbyll sezonin e tij të katërt.

E kemi fjalën për mbrojtësin shkodran Abdurrahman Fangaj që është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për ekipin e Laçit me të cilin po luan prej katër vitesh. “Normalisht, falë Zotit dhe punës së vazhdueshme, ia kam dalë të jem ky që jam sot. Them se jam brenda objektivave që i kam vënë vetes”- thotë ai në fillim të prononcimit të tij për “Shkodra Sport”.

Kur e pyet se çfarë ka të veçantë Laçi, ekip me të cilin po mbyll sezonin e tij të katërt, shkodrani 22 vjeçar shton:
“Më ka bërë përshtypje besimi i vazhdueshëm që drejtuesit e këtij klubi kanë patur ndaj meje dhe lojtarëve të rinj
veçanërisht”.

Nga Shkodra e larguan pikërisht për këtë arsye sepse nuk besuan në aftësitë e tij. I pyetur në lidhje me këtë gjë,
Fangaj përgjigjet: “Si çdo fëmijë shkodran që ëndërron një ditë të veshë fanellën e Vllaznisë, ashtu ishte edhe për
mua, megjithatë nuk ia kam arritur deri tani. Por besoj se një ditë do të realizohet edhe për mua kjo ëndërr. Sa i
takon drejtuesve të Vllaznisë, nuk kam se çfarë të them sepse koha ka treguar se kush ka të drejtë”

Dëshira është për t’u rikthyer një ditë, por kur do të jetë kjo ditë? Mbrojtësi aktual i Laçit përgjigjet: “Një ditë shpresoj se do të ndodhë por ende nuk mund të them se kur. Për momentin, dëshira ime është që të luaj në një kampionat jashtë Shqipërisë. Jam i kënaqur aktualisht tek Laçi, megjithatë çdo futbollist sheh për më mirë dhe unë kështu po ëndërroj të ndodhë”.
© shkodrasport.com