Duhet të niste sezoni i tretë si pjesë e Egnatias që mbrojtësi i djathtë, Abdurraman Fangaj, të gjente golin e parë me fanellën e kampionëve në fuqi.
Në ndeshjen kundër Laçit, lojtari shkodran vulosi fitoren pas golit të shënuar në pjesën e dytë, ndërsa për “Panorama Sport” tregoi emocionet e këtij goli, synimet e rrogozhinasve dhe rivalët. Fangaj foli edhe për ndeshjen e javës së tretë që Egnatia do ta luajë në transfertë kundër Tiranës këtë të diel.
Fangaj, si ndiheni pas fitores së dytë në kampionat, paraqitjes suaj dhe të skuadrës kundër Laçit?
Normalisht, është një fillim i mbarë i kampionatit nga ana jonë, janë dy fitore radhazi që tregojnë se ne futemi në fushë me mentalitetin e kampionit. Për sa më përket mua, e kam filluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe falënderimet i takojnë Zotit.
Goli i parë për ju pas tri sezonesh tek Egnatia dhe ajo festë e ligjshme. Si u ndihet në ato momente?
Ishte një gol që erdhi pas shumë tentativave. Kam pasur shumë raste, që i kam humbur. Më në fund ia arrita qëllimit të shënoj një gol dhe është një gëzim shumë i madh për mua.
Sikur po luani më përpara tani. Mos është më mirë për ju me taktikat e reja të këtij sezonit nga trajneri Tetova?
Është viti i tretë që po punojmë me trajnerin Edlir Tetova dhe ndihemi mirë. Çdo futbollist që ka punuar më të dita-ditës është përmirësuar. Kjo vjen vetëm me punë. Kështu jemi rritur si ekip, por edhe si individë normalisht.
Ndeshja e radhës është ajo me Tiranën, që ndoshta nuk është ajo e emrave të mëdhenj, por mbetet një fanellë shumë e rëndë në futbollin shqiptar. Si e prisni?
Ne vlerësojmë çdo kundërshtar që kemi përballë, në çdo ndeshje. Pavarësisht se është Tirana, ne jemi Egnatia dhe do të luajmë për fitores e radhës
Cilët shikoni si rivalët kryesorë të Egnatias këtë sezon në garën e titullit kampion?
Rivalët tanë mendoj se do të jenë ata të sezonit të kaluar, Vllaznia dhe Partizani. Besoj se këto dy skuadra janë më sipër se të tjerat dhe me to do të rivalizojmë.
Çfarë pretendoni në aspektin personal këtë sezon?
Dëshira është e madhe që të jap sa më shumë asiste gjatë kampionatit. Është kënaqësi më e madhe se sa të shënoj gola. Sa më shumë të jap, aq më mirë.