Atletika jo më kot është quajtur “mbretëresha” e sporteve në Botë, e nëse i referohemi këtij fakti, atletët e vllaznisë janë “mbretërit” e Shqipërisë. Ditën e sotme ata janë kurorëzuar për të 12-tin vit me rradhë kampionë të vendit. Një rezultat i jashtëzakonshëm i një ekipi që vazhdon të bëjë ligjin në atletikën shqiptare.
Pas suksesit të ditës së djeshme, rezultatet pozitive të atletëve kuqeblu kanë vijuar edhe sot në ditën e dytë dhe të fundit të kampionatit kombëtar që u zhvillua në Elbasan.
Në garat e sotme kemi sërish edhe 4 vende të para nga atletët e Vllaznisë, pikërisht në garat e tyre të preferuara, ato të shpejtësisë dhe të kërcimeve.
Kështu, në garën e 110 metrave me pengesa, kampion kombëtar për vitin 2020 është shpallur atleti Ravio Rama, në 200 metra i zakonshmi Franko Burraj, ndërsa në kërcim trehapësh kampion është shpallur Heldi Valikaj. Vllaznia si ekip ka dalë kampion edhe në stafetën 4x 400 metra me atletët Franko Burraj, Daniel Guri, Lulzim Çangeli dhe Kolindo Kiri.
Në këtë mënyrë, kampionati i 82-të kombëtar i atletikës për të rritur është mbyllur me kurorëzimin e Vllaznisë kampione për të 12-tin vit rradhazi. Një sukses mëse i merituar falë arritjeve të sportistëve dhe veçanërisht prej punës së trajnerëve Vildan Tufi, Dorian Tafa, Bruno Rrotani dhe padyshim, kryetrajnerit Albert Marashi.
Nga ana tjetër, një paraqitje shumë të mirë ka bërë edhe ekipi i femrave të Vllaznisë i cili ndonëse në përbërje ka vajza shumë të reja në moshë, ka arritur të ngjitet në podium duke u renditur në vendin e tretë në fundin e kampionatit.
www.shkodrasport.com