Ndodhi ajo që ndoshta nuk e kishin parashikuar as vetë trajnerët dhe drejtuesit e Akademisë Vllaznia. Të dy ekipet e saj, si ai U12 dhe ai U14, kanë fituar të drejtën për të diskutuar finalet e turneut ndërkombëtar që po zhvillohet në Selanik të Greqisë.
Vllaznia U12 ka qenë e para që e ka fituar këtë të drejtë pasi fitoi edhe ndeshjen e tretë në grup nga tre që luajti. Ndaj ekipit “Esperod”, djemtë shkodranë të drejtuar nga Altin Xhahysa fituan me rezultatin 5-4.
Dy gola mbajnë firmën e Rexhepit në këtë takim dhe po ashtu dy të tjerë janë shënuar nga Fangaj ndërsa tjetri është shënuar nga Bizi. Në këtë mënyrë me tre fitore, Vllaznia U12 siguroi vendin e parë në grup dhe nesër në orën 11.00 do të luajë finalen e këtij turneu ndaj fitueses së grupit tjetër që është CSKA e Moskës.
Ndërkohë emocionuese ka qenë edhe ndeshja e tretë e Vllaznia U14. Ajo e ka fituar ndeshjen e tretë 1-0 ndërkohë që duhet veçuar 11-metërshi i pritur në fund nga portieri Tomas Kiri. Pikërisht kjo gjë bëri që ekipi shkodran u rendit në vend të parë dhe kësisoj edhe ai është në finalen e këtij turneu.
Për koinçidencë edhe Vllaznia U14 do të ndeshet në finale ndaj CSKA e Moskës dhe ndeshja do të luhet në orën 13.00. Në këtë mënyrë fakti që dy ekipet e Akademisë Vllaznia dolën në finale, përbën vërtetë një sukses të madh dhe misioni i tyre është mbyllur këtu ndonëse ato do të pretendojnë fitimin e të dy kupave.
Në 6 ndeshje që ata kanë zhvilluar kanë fituar 5 dhe barazuar 1, duke treguar kësisoj vlerat më të mira të futbollit shkodran dhe atij shqiptar në këtë turne, por kuqeblutë nuk e kanë ndër mend të ndalen këtu dhe prandaj të presim edhe finalet e nesërme.
© shkodrasport.com