6 shkurt 2013 daton nisja e rrugëtimit të Elseid Hysajt me fanellën e Kombëtares shqiptare. Edhe pse me një humbje 2-1 ndaj Gjeorgjisë në miqësore, shkodrani u bë lojtari i tretë më i ri që zbret për herë të parë në fushë me kuqezinjtë në moshën 18- vjeçare, pas Iliaz Çeços dhe Blendi Nallbanit. Me 44 ndeshje, shkodrani do të gradohet sot kapiten.
SHIRITI
Shkodrani u votua si i dyti futbollist në hierarkinë e kuqezinjve, duke pasuar Mërgim Mavrajn (i pezulluar) dhe duke lënë pas tij Migjen Bashën. 25-vjeçari do të ketë sot në vendlindjen e tij nderin që të përfaqësojë kombin si lider, me shiritin në krah. Për Hysajn nuk është hera e parë që do ta mbajë atë.
Mbrojtësi e ka mbajtur edhe në ndeshjen e parë në Europian ndaj Zvicrës, në momentin kur Lorik Cana doli nga fusha me karton të kuq. Por, në miqësoren para Europianit me Katarin, më 31 maj, shkodrani u bë kapiteni më i ri në historinë e Kombëtares shqiptare të futbollit.
MË I SHTRENJTI
Hysaj është titullar i padiskutueshëm në Kombëtare, ashtu siç ka qenë për disa vite në Serinë A. Në sezonin e fundit, ndryshimi i trajnerit dhe ardhja e Ançelotit ka bërë që ky i fundit të ketë të tjera preferenca, mirëpo shqiptari është përgjigjur si në të majtë edhe në të djathtë të mbrojtjes sa herë i është kërkuar.
Nesër në fushë mund të ketë edhe lojtarë të Milanit si Çalhanoglu, apo një ish-interist si Emre Belezoglu, por shkodrani do të jetë lojtari më i shtrenjtë.
GOLI
Realizimi ka qenë një mangësi e tij si me klube edhe me Kombëtaren. Roli i një mbrojtësi të bindur që bën mirë detyrat e tij,= ia kanë pamundësuar gjetjen e portës, ndaj nesër në Shkodër do të ketë edhe një synim personal, historik. Të shënojë të parin gol me Kombëtaren.
Për të, “goli” i parë do të jetë shiriti dhe udhëheqja e kuqezinjve në fushë për ta nisur me sukses rrugëtimin drejt “Euro 2020”, ndërkohë që goli i vërtetë do të mbetet një synim për mbrojtësin, derisa të tundë rrjetën me fanellën e Shqipërisë.