Bashkë me vëllezërit Tafili dhe disa sportistë të tjerë, Brahim Syka ka shkruar historinë e çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar.
Dhe padiskutim që kur mëson se Bashkia Shkodër dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit do të organizojnë kupën me emrin e Agim Tafilit, një nga kolegët e tij më të mirë dhe po ashtu edhe një nga sportistët cilësorë të atyre viteve, bën një deklaratë fantastike.
“Një figurë si Agim Tafili meriton jo vetëm këtë kupë që do zhvillohet me emrin e tij por shumë më tepër.
Ka qenë një idhull i imi dhe i shumë sportistëve të tjerë, një model për të gjithë.
Ai meriton të kujtohet dhe kjo duhet të kthehet në një traditë në mënyrë që emri i tij të jetë i përjetshëm”- është shprehur Brahim Syka.
Ndërkohë i pyetur nëse brezi aktual i sportistëve të Vllaznisë, mund të rikthejë traditën e shkëlqyer të brezit të viteve ’80 me vëllezërit Tafili dhe me të, Syka shprehet:
“Sa herë që më jepet mundësia, jam pranë këtyre djemve dhe trajnerit Leonat Kola i cili po punon me plot përkushtim.
Kemi të bëjmë me me disa djem të talentuar, të apasionuar dhe prandaj unë ndjehem mirë kur jam pranë tyre.
Me punën që po bën ky ekip, besoj se sukseset do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.
© shkodrasport.com