Një “Grudë”-Ildi i bëri për vete të gjithë në Shkodër me atë performancë shumë të mirë për Vllazninë në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj ekipit të Kukësit. Por ndërkohë një “Grudë” tjetër- Brajan, shkon edhe më larg.
Ai është vlerësuar nga revista e njohur gjermane “Kicker” si i dyti 19 vjeçar më i mirë i Bundesligës. Një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe që tregon më së miri vlerësimin që kanë për të në Gjermani.
Lojtari i Mainz 05 është renditur i dyti dhe ka marrë medaljen e argjendtë që mban emrin e të madhit Fritz Walter. Në vend të parë si futbollisti më i mirë i datëlindjes 2004 është vlerësuar talenti i Borusia Dortmund Youssoufa Moukoko.
Ndërkohë në vend të tretë është renditur Umut Tohumcu i ekipit Hoffenheim. Një vlerësim i tillë për Brajan Grudën është padyshim treguesi më i mirë i talentit të tij dhe jo më kot ai është pjestar i kombëtares U19 të Gjermanisë.
Ju kujtojmë që ai është djali i ish- futbollistit të Vllaznisë Bujar Gruda. Vlera e tij aktuale sipas transfermarkt është 500 mijë euro, ndërkohë që në sezonin e saponisur të Bundesligës gjermane, është aktivizuar në dy ndeshje si zëvendësues me ekipin e tij Mainz 05, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2026.
Gjergj KOLA