Vllaznia U17 pas titullit kampion të fituar pesë ditë më parë, është shpallur sot pasdite skuadra fituese e Kupës së Shqipërisë edhe për grupmoshën U-17 për edicionin futbollistik 2021-2022.

Në finalen e zhvilluar pasditen e sotme në kompleksin “Internacional Tirana” në Pezë, shkodranët ia dolën të mundin skuadrën e Durrësi 04, pas një ndeshjeje të çmendur, që u vendos nga vetëm nga penalltitë.

Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1, ku pjesa e parë e lojës përfundoi me porta të paprekura, ndërsa në fraksionin e dytë u shënuan dy gola në pak minuta. Fillimisht ishte Durrësi 04 që kaloi në epërsi me Lleshin në minutën e 87-të, ndërsa në minutat shtesë Vllaznia barazoi rezultatin.

Në goditjet e 11-metërshave, shkodranët u treguan më të saktë, duke fituar kështu Kupën e Shqipërisë. Në përfundim të ndeshjes u zhvillua dhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe Kupës për fituesit.