Nëse për ta parë në fushën e lojës përsëri do të duhet të pritet edhe një javë, Marash Kumbulla vazhdon të jetë protagonist jashtë fushës së lojës, ku zërat e merkatos rreth tij nuk kanë fund.
Mbrojtësi shkodran vazhdon ende të vuajë një dëmtim dhe sipas mediave italiane, trajneri nuk ka ndër mend ta rrezikojë për duelin e kësaj jave në Serinë A.
Klubi ka vendosur që Kumbulla të vazhdojë fazën e riaftësimit dhe si rrjedhojë, do të humbasë sfidën e të dielës ndaj Fiorentinës, në mënyrë që të jetë në fushë përsëri javën e ardhshme, në një duel shumë prestigjioz si ai ndaj Romës.
Lojtari është kthyer në një lojtar të pazëvendësueshëm në radhët e Veronës por klubi dëshiron që ai të jetë në gjendjen më të mirë në momentin që do të vendosë të kthehet.
E ndërsa Kumbulla sheh nga larg situatën e ekipit, ai vazhdon të jetë protagonist i padiskutueshëm i merkatos. Lacio e Tares, por edhe Juventusi janë vë në ndjekje të tij dhe sipas “Corriere Dello Sport”, kjo ka bërë që çmimi i kartonit të lojtarit shqiptar të rritet në mënyrë të ndjeshme.
Edhe pse ka pak muaj në elitën e futbollit italian, tanimë Kumbulla vlerësohet 15-20 milionë euro, pasi Verona do të përfitojë sa më shumë nga ky talent që ka zbuluar. /vipsport/