Shqipëria do të marrë për herë të parë në finalet e një kampionati botëror. Por me skuadrën përfaqësuese të minifutbollit. Skuadra e drejtuar nga Irtan Sejko arriti që të marrë një biletë për në Socca World Cup. Që do të zhvillojë edicionin e saj të katërt në Gjermani (2-11 qershor).
Federate ndërkombëtare e Socca, u krijua në vitin 2017, duke nisur një rrugëtim të ri për të bashkuar skuadrat e minifutbollit nga mbarë bota në kompeticione të ndryshme kontinentale dhe ndërkontinentale. Kampionati botëror është eventi më i rëndësishëm. Pas dy edicioneve të para (2018 dhe 2019), pandemia detyroi ndërprerjen e këtij turneu për dy vite.
Për t’u rikthyer me edicionin e tretë vitin e shkuar. Portugalia ishte vendi i parë që priti një kupë bote për minnifutboll, ku fituesja e parë u bë Gjermania që mundi në finale Poloninë në Lisbonë. Në edicionin e dytë të luajtur në Greqi, Rusia mundi Poloninë me rezultatin 3-2 në Kretë. Vitin e shkuar, në Budapest të Hungarisë triumfoi Brazili ndaj Kazakistanit me rezultatin minimal 1-0.
Kusht për të marrë pjesë në kompeticionet e Federatës ndërkombëtare të Socca është anëtarësimi i këtyre ekipeve në Federatat respektive në vendet e tyre. Ndërkohë që nuk lejohen lojtarët profesionistë, ndonëse nuk përjashtohen ish-lojtarët apo personazhet e njohur. Të cilët janë të pasionuar pas lojës së futbollit.
Kupa e Botës Socca do të zhvillohet në sheshin më të madh në qendrën e qytetit Essen, në një stadium të ndërtuar posaçërisht për këtë eveniment. Stadiumi “Kennedyplatz” do të ketë një kapacitet prej 2500 tifozësh, teksa do të jetë vëmendja e mbarë sportdashësve.
Përfaqësuesja kuqezi merr pjesë pas kualifikimit në kampionatin EuroSocca, që u mbajt në Moldavi, duke marrë një nga 3 biletat e grupit të saj. Ndonëse, Shqipëria nuk arriti dot që të shkonte deri në ndeshjen finale të turneut, mundi për vendin e tretë Qipron, duke arritur një kualifikim historik.
Shkalla e vështirësisë do të rritet ndjeshëm, teksa tashmë do të marrin pjesë 40 ekipe nga 6 kontinente. Disa prej skuadrave më të forta janë Polonia (në tre edicionet e para mes katër më të mirave). Gjermania mikpritëse, që në dy nga tre sezonet e mëparshme ka qenë në deri në gjysmëfinale, por dhe Greqia e Portugalia.
Ndërkohë, edhe skuadrat amerikano latine, klasifikohen mes ekipeve pretendente. 40 skuadrat pjesëmarrëse do të ndahen në 8 grupe me nga 5 skuadra, ku dy ekipet e para të çdo grupi kalojnë në fazën me eliminim direkt. Për të vijuar më pas rrugën drejt finales.
Kuqezinjtë do të tentojnë që të bëjnë një debutim sa më dinjotoz në pjesëmarrjen e tyre të parë në botërorin e minifutbollit.