Peshëngritja është sporti që ruan një staturë të fortë elitare ndër të gjitha disiplinat sportive në Shqipëri, dëshmuar me medaljet dhe pozicionet e nderit që i ka dhënë vendit dhe Flamurit Kombëtar në veprimtaritë e rëndësishme sportive ndërkombëtare. Por, pas zhvillimeve në presidencën dhe kryesinë e federatës që ndodhën gjatë këtij viti, ka ardhur momenti të studiohet mirë situata dhe t’i jepet këtij sporti një shtysë drejt një dimensioni të ri, një niveli që i shkon për shtat emrit të mirë të shtangës shqiptare. Për të përshkruar gjendjen, zhvillimet dhe natyrisht pritshmëritë, gazeta “SOT” intervistoi një prej ikonave të peshëngritjes shqiptare, fitues disa herë i anketës “10 sportistët më të mirë”, njëherësh “Nderin e Kombit”, Faruk Kalleshi. Ai theksoi që ky sport nuk ka nevojë për “gjeneralë”, por për “ushtarë” të mirë që kapin rezultate të larta, duke insistuar t’u hapet rruga të rinjve dhe të ketë gjithëpërfshirje në menaxhimin e burimeve njerëzore, infrastrukturore dhe monetare nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes.
Para pak ditësh u zhvillua Botërori i Turkmenistanit, ku morën pjesë 5 sportistë nga Shqipëria. Me përjashtim të Briken Caljes, që zuri vend të gjashtë, të tjerët ishin… le ta themi hapur, dështim. Dy prej sportistëve nuk arritën as të klasifikohen në dygarësh. Cili është mendimi juaj?
Unë nuk dua ta shoh të metën vetëm tek sportistët, por më shumë sesa sportistët dua të shoh mangësinë në përzgjedhjen e trajnerëve. Federata nuk duhet të ndikohet nga emrat, por duhet të vlerësojë punën e secilit. Në varësi të rezultatit arrin edhe në trajtimin e drejtë të punës që ka bërë çdo sportist dhe trajner. Unë gjykoj se duhet t’u jepet dora të rinjve, atyre që japin shpresë për të ardhmen, që kanë rezultate në rritje dhe mund t’i japin vendit medalje në aktivitetet e ardhshme. Shtanga sot ka nevojë për “ushtarë” që sjellin rezultate, për sportistë të rinj të talentuar dhe me vullnet e jo për “gjeneralë”.
Shtanga është sport individual, njihet rezultati. Nga ana tjetër, ka zëra që kërkojnë një qasje tjetër nga ana e federatës, nisur nga një fond ekstra që ajo shpërndan për sportistët elitarë. Ndonjëherë rezultatet nuk e justifikojnë shpërblimin. A ka ardhur koha të mendohet për të rinjtë?
Në sportet individuale ka rivalitet, sigurisht. Unë e përmenda dhe më lart, që nuk e shoh të ndarë punën e sportistit nga ajo e trajnerit. Në këndvështrimin tim, duhet përzgjedhur ai që punon dhe jo ekipi apo sportisti me emër të madh. Si shembull mund të marr Tiranën, e cila, duke qenë klub që ofron më shumë se të tjerët, i ka mbledhur sportistët e mirë këtu. Por këta sportistë janë rritur gjetkë dhe ata që i kanë nxjerrë si talente e i kanë rritur nuk kanë fituar gjë, prandaj unë jam për vlerësimin e atyre klubeve dhe trajnerëve që kanë zbuluar talente. Këto detaje i shikojnë klubet, por duhet t’i shohë edhe federata. Sa u takon sportistëve që zhgënjejnë në garat e mëdha, si Europianë e Botërorë, nuk është nevoja të flas me emra konkretë, por kur nuk kanë rezultatet e duhura dhe nuk janë në gjendje të marrin maksimumin e tyre, është më mirë të mos shkojnë fare, sepse nuk ndihmojnë as veten dhe as ekipin. Prandaj evitohen shpenzimet e tepërta, dhe paratë mund të shkojnë për pjesëmarrjen e të rinjve në turne të ndryshëm ndërkombëtar që të fitojnë eksperiencë.
Ka një rënie të numrit të sportistëve në të gjitha sportet, përfshi dhe shtangën. Pse ndodh kjo?
Është e vërtetë që ka rënie, nuk është më masiviteti i dikurshëm. Duket qartë se ka mungesë elementi pasi nuk punohet në shkolla sa duhet. Ka dhe mangësi të trajnerëve e klubeve. Janë një sërë hallkash që duhet të punojnë për të zbuluar dhe afruar elementin që bën diferencë. Çdo gjë fillon në shkollë, tek ora e fizkulturës. Në Shqipëri ka dhe një problem tjetër, që figurat e sportit mënjanohen, nuk u merret mendimi prej specialisti dhe rastet janë të shumta.
Çfarë mendimi keni për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, punën e saj?
Të jeni të bindur që ky sport nuk turpërohet në Shqipëri. Mund të pakësohen “elitarët” por shtanga në Shqipëri ka krijuar popullaritet dhe ka elementë që japin shpresë. Përpjekjet e federatës dhe të presidentit Masllavica nuk mund të mohohen, ato kanë pasur kah pozitiv dhe një dashamirësi ndaj sportistëve e trajnerëve, fakt ky evident. Megjithatë, unë vlerësoj më shumë ata trajnerë që nxjerrin elementë. Ilir Çela është një “kombinat” i prodhimit të talenteve. Do të vlerësoja edhe Muhamet Tuzin, apo Faik Nebijajn që e mori nga zero dhe ka krijuar një ekip të plotë. Ka dhe shumë trajnerë të tjerë të mirë që duhen vlerësuar.
Shumë vendime rreth sportistëve e trajnerëve, në rastin e pjesëmarrjeve jashtë vendit, i takojnë kryesisë së federatës, mund të kishte dhe një këshill trajnerësh. Pse krijohen shpesh konfuzione?
Është një praktikë ndërkombëtare që sportisti shkon në aktivitet me trajnerin e tij. Por për kushtet e shtangës tonë do të ishte e mira që jo çdo sportist të shkojë me trajnerin e vet. I takon kryesisë së federatës të zgjedhë një ose dy trajnerë, nga ata më punëtorët që të shkojnë me skuadrën kombëtare. Këtë e zgjidh më mirë këshilli i trajnerëve. Dhe trajnerët e dinë punën e njëri-tjetrit. Pasioni dhe puna bëjnë diferencën dhe të vlerësohen ata që punojnë. Mendimet duhen dhënë, dhe federata i mbledh këto mendime të specialistëve para se të marrë një vendim përfundimtar. Unë jam partizan i asaj që duhet vlerësuar puna dhe rezultati.
Çfarë propozoni konkretisht?
Propozimet janë të vlefshme dhe vendimet merren në bazë të rezultatit. Dihet që çdo federatë ka objektivat e veta, ambiciet e saj janë të ketë sa më shumë sportistë të nivelit të lartë. Por jo të gjithë do të jenë kampionë, sigurisht, prandaj vetëm kampionët dhe ata më të mirët do të trajtohen si të veçantë. Nëse federata jep diçka për sportistin elitar, unë jam i mendimit që t’i japë dyfish më shumë nëse ai zë vend nderi në aktivitetet e rëndësishme si Europianë e Botërorë. Por nëse nuk e kap atë rezultat që synohet apo të përafërt, atëherë nuk ka vlerë shpërblimi. Nuk është aspak e drejtë të marrin njëlloj si ai që del i pari me atë që digjet në garë. Vetëm duke u sjellë me drejtësi në varësi të rezultatit do të rritet konkurrenca.
E kush mund ta zgjidhë këtë “konflikt”?
Kryesia e federatës, padyshim, në bazë të raportit të këshillit të trajnerëve. Presidentin e federatës e kemi të mirë, e do këtë sport, ka investuar për të dhe do të dijë të marrë këshillat e trajnerëve.
Kur mund të quhet e suksesshme një federatë?
Një federatë quhet e suksesshme kur ka qoftë dhe një kampion Europe, sikurse ka shtanga jonë. Një federatë që ka kampiona është federatë kampione. Unë me kënaqësi e them që ka edhe mjaft të rinj që janë në mesin e më të mirëve ndër moshatarët europianë. Në kohën tonë kishte masivitet, është e vërtetë, por sot ka më shumë cilësi. Por FSHP-ja duhet të motivojë të rinjtë, të gjejë mënyra që ata të ndihen të mbështetur, sepse do të përfaqësojnë kombin. Unë nuk po them shifra, por federata duhet të gjejë një formulë që këta të rinj të përfitojnë diçka nga ana financiare. Të ketë një shpërndarje më të drejtë, të mos përfitojnë vetëm 2-3 kokrra. “Dikush merr shumë, dikush asgjë”, kjo nuk shkon.
Po pakësohen vajzat në këtë sport?
Kjo është një çështje e mprehtë dhe do punë shumë, por kam besim se do të gjenden vajza me talent në këtë sport dhe që do të afrohen nga federata. Kam besim sepse presidenti Masllavica e dashuron këtë sport, ka investuar për të dhe ka ngritur edhe ekip. Stafi që ka përzgjedhur, duhet të dëshmojë se punon për ta rritur më shumë këtë sport.
E megjithatë në mes është gjithmonë shteti, me infrastrukturën, financimin, organizimin etj. A e ka bërë si duhet detyrën e tij?
Shteti ka investuar për shtangën, historikisht e ka bërë këtë dhe do të vijojë ta bëjë. Nuk më pëlqen vetëm fakti që Briken Caljes, kampion i Europës, nuk po i akordon në kohë shpërblimin që i takon me ligj dhe e ka merituar. Ai është rast i rrallë, sepse doli kampion në tre stile. I duhet dhënë shpërblimi që ai të ndihet i motivuar dhe për të rritur rezultatet e tij, sepse është në kulmin e vet si sportist.
Pse kritikat tuaja shkojnë për trajnerët?
Unë vlerësoj trajnerët që punojnë, ata që nxjerrin talente, por nuk mendoj se duhen mbështetur si trajnerë ata individë që kanë dalë me doping një e dy herë si sportistë. Mua më kanë dënuar pa dalë me doping, e ka të tjerë që trajnojnë edhe pse janë kapur me doping. Duhet parë kjo çështje.
Sa kohë i duhet një shtangisti të luftojë për medalje?
Shikoni! Sporti dhe përgatitja në tërësi e një sportisti për veprimtaritë ndërkombëtare nuk bëhen me fushata. Sporti nuk është parti politike që bën fushatë elektorale. Që të bëhesh kampion i madh duhet punë gjithëvjetore, sistematike. Sigurisht, ka dhe faza brenda saj që janë intensive. Përgatitjet me fushata krijojnë trauma dhe dëmtime afatgjata. Sot kushtet janë që të mos ketë marrëzira të këtij lloji. Ecurinë e ndjekin trajnerët, por që ta bëjnë punën tamam duhet t’i stimulosh financiarisht, e pastaj t’u kërkohet llogari.
Intervistoi: Adriatik BALLA