Pas Panajot Panos, I dyti sportist që nderohet me këtë titull është një peshëngritës: Faruk Kalleshi. Para pak kohësh, ka qenë ish- presidenti I Republikës z. Bamir Topi që I akordoi këtij sportisti të mirënjohur urdhërin e lartë “Nderi I Kombit”. Një vlerësim I jashtëzakonshëm për këtë kampion të jashtëzakonshëm. Në fakt ai e ka merituar. Kampion për 21 vite me rradhë si askush tjetër teksa e ka nisur karrierën në vitin 1964 si kampion dhe e ka mbyllur në vitin 1984 si I tillë. Ka thyer gjatë kësaj karriere plot 116 rekorde kombëtare dhe ka marrë 16 medalje ndërkombëtare.


Një mori titujsh e rekordesh për Shkodrën, për klubin Vllaznia dhe për gjithë Shqipërinë. Faruku prej vitesh jeton në Tiranë, por në fakt festën për këtë titull të lartë që ka marrë, e bëri në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Ka ndodhur kështu mesditën e sotme teksa në një nga lokalet në hyrje të qytetit, ai kishte mbledhur shumë miq të tij, kryesisht të sportit. Binin në sy emra të shquar të sportit të peshëngritjes dhe të mundjes. Por në këtë ceremoni nuk mungoi as njeriu që ia dha këtë titull- Bamir Topi. “E ndjeva për detyrë ta çoja deri në fund respektin për këtë figurë të madhe të sportit shqiptar si Faruk Kalleshi dhe ftesën e tij nuk kisha si ta refuzoja. Por erdha me kënaqësi në Shkodër, në qytetin e jashtëzakonshëm të artit, kulturës dhe sportit, I cili ka nxjerrë figura të mëdha dhe vazhdon të nxjerrë të tilla. Disa prej këtyre figurave I kanë marrë titujt e merituar, ndoshta duhen edhe të tjerë të nderohen sepse kontributi I tyre ka qenë I jashtëzakonshëm. Mjafton të marrim shembullin e Faruk Kalleshit, këtij sportisti të jashtëzakonshëm që ka dhuruar tituj e rekorde për Vllazninë, Partizanin dhe ekipin kombëtar, jeton në Tiranë por festën ka ardhur për ta bërë në Shkodër, në qytetin e tij sepse “guri I rëndë peshon në vendin e vet”. Kaq mjafton për të kuptuar më qartë se çfarë figurash ka nxjerrë ky qytet”. Emocione të mëdha tek protagonisti I kësaj feste të madhe. “Ndjehem  I shpërblyer për gjithë atë kontribut që kam dhënë për sportin. Jam shumë I lumtur kur shoh pranë vetes shumë miq e kolegë të mij të sportit, shumë figura të mëdha të tij që kanë ardhur për të më nderuar, e po ashtu edhe ish-presidentin Topi që ka ardhur edhe ai për të qenë present. Nuk kam se çfarë them tjetër veçse jam I nderuar në maksimum”. Festa ka vazhduar gjatë edhe me këngët e këngëtarëve të mrekullueshëm Tonin Tërshana, Bujar Qamili e Valbona Mema. Miqtë e ardhur nga Tirana, Elbasani e rrethe e tjera, janë ndjerë vërtetë mirë në atë ambjent shkodran dje. Mbi të gjitha se kanë marrë pjesë në një nga gëzimet më të mëdha të jetës së mikut të tyre, Faruk Kalleshit. Ai para pak vitesh është vlerësuar si një prej 10 sportistëve më të mirë të shekullit nga anketa e bërë prej kësaj gazete dhe me siguri që do jetë sërish një nga kandidatët fitues edhe në anketën e 100 Vjetorit. Karriera dhe rezultatet e tij flasin vetë. Jo më kot ai sot është “Nderi I Kombit”.
www.shkodrasport.com