Dinamo është në transformim e sipër aktualisht. Klubi blu ka përqafuar një projekt të ri, të quajtur “Dinamo City” për shkak të një bashkëpunimi me klubin e njohur anglez.
Një projekt që sigurisht ka të mirat e veta të mëdha, pasi parashikon ta kthejë Dinamon në majat e futbollit shqiptar, falë investimeve serioze që po bëhen dhe pritet të bëhen në vazhdim. Por ka edhe “kosto”… Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, por është pranuar se do të ketë një modifikim të stemës së Dinamos për të justifikuar përfshirjen në projektin e ri. Po ashtu, përflitet për spostimin e skuadrës blu në Durrës, ndoshta në të ardhmen, sepse tani për tani selia është në Arbanë. Për të gjitha këto ndryshime ka dhënë mendimet e tij një nga figurat emblematike të klubit dinamovit, Faruk Sejdini.
Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Dinamos nuk është aspak dakord me këto ndryshime, që sipas tij kurrsesi nuk mund ta fshijnë historinë e 18 herë kampionëve të vendit. Ajo që e bezdis më shumë Sejdinin, ashtu si dhe gjithë nostalgjikët e Dinamos, është viti 2023 në stemën e re që ka qarkulluar kohët e fundit. Dhe për këtë situatë batutat e “Xhaxhit” janë pikante.
STEMA “Sigurisht që i kam ndjekur zhvillimet e fundit te Dinamo. Nuk e di se sa të vërteta janë ato që kemi lexuar, sepse akoma nuk kemi parë gjë zyrtare, por nuk më kanë lënë shije të mirë. Një spostim i mundshëm i Dinamos në Durrës, siç po dëgjojmë, është pa kuptim. Uroj të mos ndodhë. Pastaj, ajo stema e re, me vitin 2023 dhe jo me vitin kur është krijuar Dinamo, më duket utopike. Njeriu ka lindur atëherë kur ka lindur, jo kur është martuar.
Datë lindjeje ka vetëm një. Unë nuk e di, nëse e ka kërkuar me çdo kusht Mançester Siti këtë ndryshim, por nuk besoj. Çfarë pune u prish atyre e shkuara e Dinamos, kur ajo është e bukur dhe e respektuar. Dinamo nuk ka biografi të keqe, ajo ka fituar tituj, ka nxjerrë lojtarë të shquar, si Ilir Përnaska, Shyqyri Ballgjini, Vasillaq Zëri e Muhedin Targaj për të përmendur disa, apo edhe trajnerë të mëdhenj si Skënder Jareci.
Besoj se Mançester Sitit i intereson të bashkëpunojë me një klub të nderuar si Dinamo dhe nuk ka pse të bëhet ky ndryshim. Historia në çdo rast nuk mund të zhbëhet, ajo është ajo që është, ajo që njohin të gjithë. Nuk fillon tani. Ti mund të përpiqesh të bësh diçka të mirë, duke u larguar nga një e keqe, por nuk ka pse të fshish një histori të tillë”, ka theksuar Faruk Sejdini për “Panorama Sport”.
SKUADRA DHE STAFI Më tej ish-trajneri kampion i bluve ka folur edhe për aspektin sportiv, për stafin e ri teknik dhe për skuadrën që po krijohet. Ai gjykon se trajnerët e huaj e përdorin Shqipërinë si trampolinë.
“Po, i kam ndjekur edhe ndryshimet në stafin teknik dhe në skuadër. Unë uroj që në këtë aspekt çdo gjë të shkojë mirë, por nuk jam shumë për trajnerët e huaj. Nuk më pëlqeu largimi i Mehmetit me një të rënë të lapsit, sepse ai kishte punuar, arriti një objektiv, ndaj dhe meritonte të vazhdonte. Trajnerët e huaj vijnë në Shqipëri dhe e shohin atë si trampolinë. Janë trajnerë që atje ku kanë qenë nuk kanë bërë mirë dhe vijnë këtu.
Plus që kanë kosto të lartë, sepse për ta presidentët e klubeve tona janë të gatshëm të shpenzojnë pa u menduar dy herë. Vërtet ekipi ka një pronar dhe ai vendos, por është edhe ana morale në futboll. E përsëris: uroj që te Dinamo të shkojë sa më mirë me këtë staf që ka ardhur. Për skuadrën do të thosha se nuk mund ta gjykojmë tani. Janë shumë lojtarë të ardhur edhe me siguri do të kërkojë kohë që Dinamo të shprehet ashtu si duhet në fushë. Më pëlqeu fakti që tashmë skuadra ka gati edhe fushat e veta në Arbanë, shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë”, ka përfunduar Sejdini.