Prej ditësh basketbollisti i Vllaznisë Herion Faslija po kërkohet nga skuadra e Kamza Basket si përforcim për sezonin e ri. Por shkodrani deri tani ka mbetur peng i një kontrate të nënshkruar mes “Shoqatës së Basketbollit Vllaznia” dhe “Sport Klub Vllaznia” që veç emrin e ka të tillë sepse në fakt në atë çfarë ka në përbërje është krejtësisht e parregullt, edhe pse e noterizuar. Faslija ka kërkuar të largohet por në fakt “Sport Klub Vllaznia” fillimisht i ka kërkuar të paguaj gjobën prej 1.5 mln lekësh të vjetra
për prishjen e njëanshme të kontratës, por shkodrani me të drejtë nuk e pranon një gjë të tillë duke qenë se kontrata është e parregullt. Në dokumentin zyrtar gjithçka është bërë në mënyrë të gabuar, çka tani i jep plotësisht të drejtë basketbollistit për tu lënë i lirë pa paguar as edhe një farë shume lekësh. Po ta shohim kontratën që në fillim të saj data e firmosjes është e përpiluar gabim sepse është e shkruar “19 shtat 2011”. Në fakt duhej të ishte ose 19 shtator 2011 ose 19. 009. 2011, sepse “shtat” juridikisht është e pavlefshme. Më tej pak më poshtë është i përcaktuar trajtimi ushqimor që duhet të marrë sportisti dhe ajo shumë është vetëm formale sepse paga mujoe duke llogaritur edhe sponsorizimet për Faslinë shkon shumë më e madhe. Tek trajtimi ushqimor thuhet se është “12000 mijë lekë” – me këtë shumë sërish juridikisht nënkuptohet që “Sport Klub Vllaznia” realisht duhet të paguajë 12 milionë lekë të vjetra për basketbollistin dhe sërish kjo për shkak se është shkruar gabim pasi duhej të ishte “12.000 (12 mijë)”. Gafat në kontratë vijojnë sepse në pikën 6 të saj e cila përcakton periudhën e basketbollistit që është i detyruar të luaj me Vllazninë sërish ka një gabim. Nuk kuptohet qartë se për cilin sezon bëhet fjalë sepse kontrata duket që është nxjerrë nga sirtarët e vitit të kaluar dhe është pikërisht e sezonit 2010-2011 por tashmë e korrigjuar me stilolaps teksa sipër vitit të vjetshëm është shkruar sezoni 2011-2012 që jemi tani por që rezulton e parregullt sepse në një kontratë të tillë nuk mund të ketë korigjime të këtij lloji. Gjithçka mbyllet në fundin e kontratës, aty ku venosen firmat dhe aty ka vend edhe për të qeshur. Shihet qartë që janë dy emra me dy firma të ndryshme. I pari është i basketbollistit të Vllaznisë Maris Huti dhe aty ai ka edhe firmën dhe më poshtë është emri dhe firma e Herion Faslisë bashkë me firmën e tij. Por sërish kjo është e parregullt sepse larg mendsh një kontratë e tillë individuale mund të jetë me dy emra e dy firma të ndryshme. Ndaj në këtë situatë është e qartë që basketbollisti ka plotësisht të drejtë dhe sa më shpejt kërkon që të lihet lojtar i lirë. Por duket se “Sport Klub Vllaznia” do të këmbëngulë deri në fund për të mos e lejuar atë të largohet pa paguar gjobën edhe pse kontrata është e parregullt dhe e pavlefshme. Atëherë nëse Faslinë e duan në Shkodër, atëherë për të duhet të paguajnë 1.2 milionë lekë të vjetra ashtu siç përcakton kontrata fantazëm. E gjitha kjo ndodh siç shpesh e kemi theksuar për paaftësinë e “Sport Klub Vllaznia” e natyrisht drejtorit të këtij institucioni Gëzim Mema që lejon të tilla gjëra e tani kërkon edhe paratë e gjobës. Basketbollisti Faslija bën të qartë se nuk ka ndërmend ai dhe as skuadra e ardhshme Kamza Basket të paguaj asnjë lloj shume duke qenë se kontrata është e parregullt. Dhe nëse “Sport Klub Vllaznia” vijon ta zgjasë këtë histori duke e penguar shkodranin atëherë ky i fundit nuk do të ngurrojë të hapë edhe një proces gjyqësor për të paditur institucionin e shumësportëshit e për të kërkuar edhe dëmshpërblim nga ana e tyre për të gjitha problemet që po krijojnë duke mos e lejuar të jetë i lirë.