Faslija stërvitje me Kamzën, kontratën me Vllazninë
Basketbollisti shkodran Herion Faslija ende pa zgjidhur kontratën apo marrëveshjen që ka me “Sport Klub Vllaznia” e shoqatën e basketbollit “Vllaznia” ka nisur përgatitjet me skuadrën e Kamza Basket me të cilën pretendon të luaj sezonin e ri që akoma nuk është përcaktuar se kur mund të fillojë nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Shkodrani prej shumë ditësh tashmë nuk stërvitet më me Vllazninë, për disa kohë bëri një stërvitje individuale për të mos humbur ritmin e për të mos ulur formën sportive dhe tashmë prej pak ditësh është bashkuar me ekipin e Kamza Basket. Faslija ka një kontratë të parregullt me Vllazninë sepse aty ka disa parregullsi që fillojnë që në krye të saj me datën e vendosur jo saktë, ngatërresën në shumën e trajtimit ushqimor, korigjimin mbi vitin që duhet të luaj basketbollisti me Vllazninë dhe ç’është më e rëndësishmja në fund të asaj kontrate ndodhen dy firma një e Maris Hutit dhe tjetra e Herion Faslisë, të gjitha këto e bëjnë të parregullt kontratën. Pavarësisht disa tentativa për ta lënë të lirë, “Sport Klub Vllaznia” nuk e ka pranuar një gjë të tillë pa paguar gjobën prej 1 milionë e 500 mijë lekësh të vjetra për prishjen e njëanshme të kontratës. Nuk e dimë nëse kjo bëhet vetëm për përfitim ekonomik të institucionit të shumësportëshit apo tashmë çështja ka kaluar në inat personal me Faslinë pas publikimit të lajmit per kontratën e parregullt në “Sport Ekspres”. E megjithatë nga drejtuesit e “Sport Klub Vllaznia” nuk ka patur asnjë reagim zyrtar të cilët me heshtjen duket se kanë pranuar parregullsitë e asaj kontrate. Reagimet e vetme kanë qënë nën zë dhe nga sa kemi mësuar krerët e shumësportëshit pretendojnë se ajo marrëveshje e nënshkruar është brenda rregullave sepse është e pranuar nga juristët e Federatës të Basketbollit, por edhe nëse këto të fundit e kanë lejuar kontratën dhe e kanë ligjëruar atëherë edhe ata duhet të japin një përgjigje për atë kontratë që nga çdokush shihet qartë se është e pavlefshme. Megjithatë aktualisht Faslija juridikisht apo teorikisht vijon të jetë basketbollist i Vllaznisë në bazë të atij dokumenti por praktikisht sido që të rrjedhin ngjarjet ai nuk do të jetë më pjesë e kuqebluve dhe në ditët në vijim do të vazhdojë përpjekjet për të gjetur rrugën për zgjidhjen e asaj kontrate e për t’i lënë shteg pastaj firmosjes së menjëhershme të marrëveshjes me ekipin e Kamza Basket më të cilin prej ditësh ka nisur stërvitjen.