Opinion nga Pjerin MIRDITA
Të ngrejë dorën kush ka menduar, se një pasdite te bukur, një ekip provincial (me gjithë respektin per Kastriotin), të vinte në Shkodër, të shënonte katër gola dhe të largohej me “thesin plot”. Erdha, pashë, fitova. Këto mund të jenë fjalët qe mund të përshkruajnë më së miri pasditen e krutanëve në “Loro Boriçi”. Po Vllaznia? Ekipi nuk ekzistonte në fushë, thjesht dukej si një ndeshje sa për të kaluar rradhën. Lojtarët dukeshin se i kishin zbritur ne fushë me zor. Sikur mos të mjaftonin këto, në fund u mundëm nga një lojtar i vetëm, Bruce Incango, që për një pasdite dukej sikur në fushën e blertë të “Loro Boriçit” kishte zbritur Balotelli. Megjithatë gjatë gjithë lojës tifozët shpresonin shumë për një mrekulli të madhe edhe pse raste kishte, por qartësia dhe gjakftohtësia para porte munguan dhe golat ishin vetëm një mirazh. Kjo humbje shkatërron plotësisht atë seri ndeshjesh pozitive, të ndërtuara me shumë mund dhe djersë. Tani duhet të fillojmë edhe një herë nga e para, që nga ndeshja me Flamurtarin, ku një fitore e pastër mund të na jepte mundësine për të kërkuar diçka nga një sezon thuajse të mbyllur para kohe për ekipin, por futbolli është i çuditshëm dhe duhet shpresuar deri në fund, ashtu siç shpresonte një tifoz i vjetër i Vllaznisë në minutën e 89-të, kur me një optimizëm pët t’ u admiruar dhe mes habisë të tifozëve aty afër lëshoi një…. “Shpresojmë, nuk i dihet”. Pikërisht kjo duhet te jetë edhe motoja e të gjithëve, sepse më shumë se skema dhe taktikë, kemi nevojë për fat dhe zemër, duhet të besojmë deri në fund të gjithë, që nga tifozët deri tek lojtari më i fundit dhe atëhere mund të bëjmë llogaritë. Të vetëdijshëm se të gjithë dhanë maksimumin dhe ndoshta fundi mund të jetë më i ëmbël se parashikimet.