Jeton në Tiranë prej vitesh por sigurisht që zemra e tij sërish rreth për Vllazninë. Fatbardh Jera, sa herë që I jepet mundësia, vjen në Shkodër për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës, atë që e bëri të njohur. Vllaznia I ka dhënë emrin por edhe ai I ka dhënë jo pak asaj. Jo më kot, Jera është vlerësuar në anketën e 90 vjetorit të këtij klubi si një nga pjestarët e “11-shit më të mirë”. Megjithatë, ai mendon se ato kohë kanë kaluar. Vllaznia e sotme nuk është në ato nivele. Lë shumë për të dëshiruar dhe për këtë arsye, ai ka folur me kritika edhe në prononcimin e tij për gazetën online shkodrasport.com kur është shprehur: -Jera, a e meritoi Vllaznia humbjen në ndeshjen ndaj Tiranës?
Në fakt duhet me të ardh keq për humbjen sepse të jemi të sinqertë, Vllaznia e dominoi lojën sidomos në pjesën e parë. E vetmja gjë që nuk shkoi ashtu siç duhet ishte sulmi që nuk funksionoi. Mesfusha ndërkohë si nga krahu I majtë ashtu edhe nga I djathti, punoi jashtëzakonisht mirë. Ndërsa në pjesën e dytë, me kalimin e minutave, loja e saj filloi duke u zbehur ndërsa ajo e Tiranës duke u rritur. Spikati Klodian Duro ndonëse në një moshë disi të madhe, u bë promotori I skuadrës së tij me 3-4 goditje në portën  e Vllaznisë. Po ashtu edhe Lika në krahun e djathtë bëri gjithçka mirë duke marrë edhe 11-metërshin duke penetruar mes katër lojtarëve shkodranë. Mendoj se ishte një fitore e merituar e Tiranës sepse në pjesën e dytë e dominoi tërësisht lojën.
-Edhe në median e shkruar Jera keni qenë kritik për mënyrën si është ndërtuar Vllaznia sivjet. Nuk keni besim tek kjo skuadër?
-Njëra nga objektivat e Vllaznisë- Kupa, tashmë ka rënë poshtë sepse është eliminuar prej saj. Sa I takon kampionatit, sigurisht që do të jetë shumë e vështirë se në kupë. Në javët e ardhshme skuadra ka për ta patur tepër të vështirë sepse ka ekipe që pretendojnë për titull kampion por edhe ekipe që synojnë për mbijetesë dhe prandaj nëse Vllaznia do të lundrojë në mesin e tabelës së renditjes, ne të gjithë shkodranët duhet të jemi të kënaqur me këtë gjë.
-A mund të jetë kjo Vllazni në Kupat e Europës që është edhe objektivi I saj?
-Nuk e mendoj. E kam thënë edhe në median e shkruar ditët e fundit dhe ndoshta jam treguar më shumë skeptik sesa duhet që kjo Vllaznia nuk mund të arrijë të renditet në mes ekipeve më të mira të kampionatit në fund të tij. Mënyra si është ndërtuar kjo Vllaznia, nuk të jep shpresa për të qenë një skuadër kompetitive.
-Në pamje të parë të duket një Vllazni e bujshme me 12 blerje por në  realitet mendoni se nuk është e tillë?
-Pikërisht nga kjo. Ngaqë numri I prurjeve ka qenë I madh, ato nuk kanë qenë cilësore. Këto lojtarë duke u provuar nga java në javë po tregojnë se rendimenti I tyre është shumë I dobët. Një fakt për ta vërtetuar këtë është se kemi zhvilluar 10 ndeshje dhe kemi shënuar 10 gola. Kjo është a-ja e futbollit për të treguar se ky ekip nuk është për kampion apo dhe për Kupat e Europës.
Gjergj KOLA