Fatbardh Jera, një nga emrat e njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, në një intervistë për “Panorama Sport” analizon kampionatin e Superiores. Shkodrani “veçon” Vllazninë për ecurinë e këtij edicioni dhe thekson se skuadra duket në rrugë të mbarë për të rikthyer titullin pas 24 vitesh mungesë.
Ai gjithashtu kërkon që ekipi të ketë qëndrueshmëri në lojë, përveç rezultateve. Ish-kampioni i vendit me kuqeblutë në sezonin 1982-83 dhe ish-lojtari i Kombëtares, ndalet te shanset për titull kampion të Vllaznisë dhe gjykon se është viti i duhur për suksesin që Shkodra e pret prej shumë kohësh.
Profesor, si e keni parë deri tani Superioren?
Ndonjë surprizë, apo zhgënjim? Superiorja ka qenë rivalizuese për kreun, sidomos mes 4 skuadrave: Egnatias, Vllaznisë, Partizanit dhe Dinamos. Nëse i referohemi ecurisë së deritanishme, me gjasë kjo katërshe do të shkojë në “Final 4” për të përcaktuar ekipin kampion. Pjesa tjetër e skuadrave ka shfaqur oshilacione të konsiderueshme, ndaj vështirë t’i bashkohet katërshes së parë. Ato do të luftojnë për të evituar vendet e fundit, që të shpien direkt një kategori më poshtë. Në këtë vorbull, si rrallë herë, është përfshirë edhe Tirana, skuadra më e titulluar në futbollin tonë.
Ndryshimi tërësor i grupit të lojtarëve të sezonit të kaluar, pra revolucioni total, përfshirë edhe stafin teknik, kërkon kohë për rezultatet e duhura. Tirana është prova e qartë e kësaj, sepse në këtë kampionat nuk ka valenca pretendenteje për titull. Në njëfarë mënyre, është humbje jo e vogël në rivalitetin për titull. Rolin e sfidantit kryesor të Partizanit në derbin e kryeqytetit e ka marrë Dinamo, që nën drejtimin e Ilir Dajës është tjetërsuar për mirë. Dinamo ka një grup të konsoliduar lojtarësh me eksperiencë dhe stol cilësor. Ndoshta ka pasur një farë krize në ndeshjet e fundit, por është ndër skuadrat më cilësore të Superiores. Sfida e radhës me Vllazninë do të jetë “pasqyra” reale për skuadrën e Dajës, teksa javët kalojnë dhe hapat fals nuk preferohen.
A mund ta fitojë titullin këtë herë Brdariç me këtë skuadër?
Këtë do ta tregojë fundi i sezonit. Vllaznia është mes pretendentëve për titull, por duhet ruajtur ritmi deri në finish. Mbetet të shihet nëse me grupin e lojtarëve që ka mund të rivalizojë në kampionat dhe në Kupë. Me Brdariç skuadra shkodrane ka luajtur futboll atraktiv. Në eksperiencën e parë thuajse fitoi titullin, ndërsa këtë herë ka në skuadër një sulmues si Balaj, i cili, me golat e shënuar në raport me totalin e ekipit, është thuajse 40% e Vllaznisë.