I datëlindjes 26 qershor 1955, Axhani do të ishte pjesë e një brezi të artë futbollistësh të cilët kanë shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë së Vllaznisë së viteve ’70. Karriera e tij ka patur uljet dhe ngritjet e tij dhe ai vetë ndoshta sot mendon se mund të kishte bërë më tepër, megjithatë është i kënaqur për kontributin që ka dhënë në fitoren e disa trofeve prej tij.

Në një rrëfim të gjatë për gazetën “Shkodra Sport”, Fatmir Axhani ka shpjeguar gjithçka, duke filluar nga hapat e parë që ka hedhur në këtë sport prej moshës së vogël dhe deri në fund, kur për disa vite ka punuar edhe si trajner, madje i suksesshëm.

KARRIERA SI LOJTAR

“E kam nisur futbollin në moshë shumë të vogël, qysh 5-6 vjeç. Ka qenë Hasan Hasa, ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë, ai që më mori i pari në stërvitje dhe këtu nis rrugëtimi im në këtë sport. Më pas, kam punuar me të tjerë trajnerë, si Rexhep Laçej e Qamil Medja, me të cilët kam shkuar në moshën 10 vjeçare në Spartakiadën e Pionerëve në Pogradec”- ka thënë fillimisht Axhani.

Më pas, ai në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” ka vijuar të tregojë vazhdimin e karrierës me ekipet e moshave teksa thotë: “Kam vazhduar të punoj më pas me trajner Zyhdi Bakallin, ndërkohë që më pas, në moshën 15 vjeçare kam kaluar me të rinjtë ku kam patur trajner Sadetin Zmijanin.Me të kam punuar dy vjet rresht, para se ai të largohej dhe t’i linte vendin trajnerit tjetër Nikoll Gjergji”.

Këtu është mbyllur rrugëtimi i Axhanit me ekipet e moshave sepse duke spikatur me to, bie në sy të pjestarëve të ekipit të parë. Dhe trajneri Xhevdet Shaqiri e afron në ekipin e tij që në vitin 1972, kur sulmuesi ishte vetëm 17 vjeç teksa stërvitet me të dhe ndërsa ndeshjet vazhdon t’i luajë me të rinjtë.

Një sezon më vonë, pikërisht atë 1972-73 tashmë bëhet pjesë e ekipit të parë dhe madje, në fazën e dytë ka luajtur dy ndeshje me të. Vijon kështu edhe në sezonin 1973-74 por vetëm në fazën e parë pasi në janar do të shkonte ushtar tek Partizani. Axhani mendoi se karriera e tij do të vijonte në nivele të larta, por nuk ndodh kështu.

“Sapo shkova ushtar tek Partizani, kam bërë një gabim të rëndë që më kushtoi rëndë për karrierën time. Për rrjedhojë, më çuan ushtar në Dhërmi të Vlorës. Për rrjedhojë, për dy vjet nuk jam marrë me futboll. Mendova se këtu karriera ime do të përfundonte por nuk ndodhi kështu”- thotë Axhani.

Kthehet në Shkodër dhe vendos t’i bashkohet sërish Vllaznisë. I duhen vetëm 4 muaj stërvitje dhe kap formacionin e parë dhe vazhdon të luajë deri në vitin 1981 kur e detyrojnë të largohet nga futbolli. Gjatë kësaj periudhe ka fituar edhe disa trofe me kuqeblutë ndërkohë që është pjesë e formacionit dhe madje një nga më të mirët në ndeshjen e famshme me Austrinë e Vjenës në vitin 1978.

Po pse u largua nga Vllaznia? Axhani e sqaron këtë moment kur për gazetën tonë thotë: “Nga ekipi më hoqi Adem Tukaj, që ishte një nga drejtuesit e Partisë në rreth. Ai thirri në Komitetin e Partisë Esat Rakiqin që në atë kohë drejtonte ekipin ngaqë Medin Zhega ishte për specializim jashtë vendit. Pas shumë presioneve ndaj profesor Esatit, e detyron të më largojë nga ekipi”.

Zhgënjimi ka qenë i madh sepse ishte vetëm 26 vjeç, megjithatë Fatmiri vendos të mos largohet përfundimisht nga futbolli. Për këtë arsye, e vazhdon karrierën e tij në Lezhë tek Besëlidhja me të cilën luan për dy vjet e gjysëm, deri në vitin 1984.

“Kam kaluar një periudhë shumë të mirë tek Besëlidhja duke luajtur me lojtarë shumë të mirë si Gjovalin Gega, Vasil Bici, Paulin Deda, Xhabir Gruda, Fehmi Rama, Gëzim Hasku etj”- thotë Axhani.Në vitin 1984, ndonëse vetëm 29 vjeç, vendos t’i japë lamtumirën futbollit, ndonëse ende kishte shumë për t’i dhënë atij.

NDESHJA MË E BUKUR

Tifozët shkodranë e përmendin ende edhe sot sfidën Vllaznia- Austria e Vjenës 2-0 në Shkodër në kuadrin e ndeshjeve të Kupës së Kampioneve të Europës dhe për atë përballje përmendin Fatmir Axhanin si të papërmbajtshëm ndonëse nuk shënoi asnjërin nga dy golat e fitores së ekipit shkodran.

Megjithatë ai mendon ndryshe duke vlerësuar një tjetër si më të mirën e karrierës së tij e për këtë thotë: “Të gjithë më thonë se ndeshja ime më e mirë me Vllazninë ishte ajo ndaj Austrisë së Vjenës por unë them se ka qenë një tjetër. Pikërisht ndaj Flamurtarit në maj të vitit 1978 në Shkodër. Pjesa e parë mbaroi 2-0 për vlonjatët ndërsa në pjesën e dytë kemi shënuar tre gola dhe kemi fituar 3-2 teksa kam kontribuar në të tre golat për skuadrën tonë. Kam qenë vërtetë i papërmbajtshëm në atë ndeshje dhe për këtë arsye, e vlerësoj si më të mirën e karrierës time”- thotë Axhani.

KARRIERA SI TRAJNER

Axhani pas lënies së karrierës si lojtar, për disa vjet nuk është marrë më me futboll. Por nga viti 1996 rikthehet sërish pranë tij por këtë herë në rolin e trajnerit. Ka punuar për shumë vite pranë Akademisë Vllaznia por edhe ekipeve të tjera me moshat duke u munduar të bëjë më të mirën për nxjerrjen e lojtarëve cilësorë.

Më pas, krijon ekipin e futbollit të femrave “The Door” ndërkohë që do të vijonte punën tek Ada sërish me femrat teksa e drejton këtë ekip për dy sezone duke fituar dy herë titullin kampion, pikërisht në sezonet 2010-2011 dhe 2011-2012 dhe si Kupën e Shqipërisë në sezonin 2010-2011. Më pas largohet nga ky ekip dhe drejton edhe për një vit një ekip moshash dhe përfundimisht në vitin 2013 i jep fund punës së tij edhe në trajning dhe që prej atij momenti nuk është angazhuar më me asnjë ekip.

PËRMBLEDHJA

“Jam shumë i kënaqur me atë çfarë kam dhënë për futbollin, si lojtar dhe si trajner, ndonëse mund të kisha dhënë dhe marrë më shumë ndoshta prej tij. Kam tre trofe e gjysëm si lojtar teksa jam shpallur kampion me Vllazninë në sezonin 1977-78 dhe kam fituar Kupën e Republikës me të në sezonet 1978-79 dhe 1980-81.

Kam edhe një gjysëm- kontributi tek titulli kampion i sezonit 1973-74 teksa kam luajtur në formacion gjatë gjysmës së parë të sezonit sepse në të dytën pastaj shkova ushtar.

Si trajner ndërkohë kam fituar dy tituj kampionë dhe një Kupë dhe besoj se me to kam kompletuar më së miri karrierën time edhe në këtë fushë”- thotë për “Shkodra Sport” Fatmir Axhani.
Gjergj KOLA