Nga Endri ÇINARI
Për herë të parë në sezonin 2024-25 ka bërë një debutim në Kategorinë e Dytë skuadra e Basanias. Ekipi që përfaqëson zonën e Bushatit ka bërë debutimin në këtë ligë vetëm 4 vjet pas krijimit të skuadrës në vitin 2020. Një arritje kjo për një skuadër që ka kaq pak vite në aktivitet që po rritet gradualisht nga sezoni në sezon.
Madje duke zhvilluar edhe ekipet e moshave, duke i dhënë mundësinë për të luajtur futboll fëmijëve jo vetëm të zonës, por mbarë Shkodrës. Për tu kthyer tek sezoni i zhvilluar deri më tani nga Basania në Kategorinë e Dytë, ai ndoshta nuk ka qenë më i miri i mundshëm. Kjo pasi pretendimet e skuadrës dhe drejtuesve të saj janë ambicioze dhe për zonat e larta të renditjes, shkruan shkodrasport.com
Kjo pasi skuadra pas përfundimit të fazës së parë ndodhet në vendin e 10-të me 10 pikë grumbulluara. Një pozicion që i rri “ngushtë” skuadrës së Basanias që ka ambicie për zonën e Play Off që të lejon të luash në fund të sezonit për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Për këtë arsye presidenca e klubit është duke u treguar shumë aktive në këtë merkato janari. Nga sa mëson gazeta “Shkodra Sport”, Basania ka kryer 3 afrime deri më tani.
Momentalisht emrat e lojtarëve të afruar në skuadër nuk bëhen të ditur. Por mësohet se një sulmues, pikë ku skuadra ka vuajtur në fazën e parë është shumë pranë ekipit. Ky fakt tregon edhe njëherë seriozitetin dhe ambiciet që ka ekipi i Basanias. Që do rikthehet në aktivitet në datën 25 janar, ku do i japë startin fazës së dytë me ndeshjen kundër Adriatikut që do zhvillohet në fushën sportive të Bushtatit./www.shkodrasport.com/