
Tashmë është vendosur. Stërvitja e ekipti të Vllaznisë përpara nisjes së sezonit të ri, do të zhvillohet në Mal të Zi. Drejtuesit e klubit kanë gjetur edhe vendin se ku do të zhvillohet ajo, pikërisht në qytetin e Nikshiqit, i cili ka një reliev kryesisht kodrinor, çka bën që ai të ofrojë temperatura të ulëta të përshtatshme për zhvillimin e stërvitjeve me ngarkesa të larta fizike. Pritet që kuqeblutë të spostohen drejt këtij kampingu rreth datës 20 korrik dhe atje mund të qëndrojë në një periudhë 15-20 ditore. Fondi që duhet për ta bërë këtë gjë, tashmë është miratuar në mbledhjen e para një dite të Këshillit Bashkiak dhe gjërat duken në rrugën e duhur. Trajneri Zmijani dhe drejtori sportiv Grima janë duke kontaktuar me miq të tyre në Mal të Zi por edhe me drejtues të kampingut në Nikshiq që të gjejnë disa kundërshtarë për ndeshje miqësore gjatë periudhës së qëndrimit atje. Ideja është që të zhvillohen 4-5 miqësore të cilat do të shërbejnë për kolaudimin e skuadrës në prag të nisjes së sezonit të ri. E tashmë që faza përgatitore është vendosur që do të zhvillohet në kushte komode e po ashtu, edhe baza materiale është siguruar, problem mbetet vetëm kompletimi i ekipit me lojtarët e duhur. Për këtë, stafi teknik është në kontakt të vazhdueshëm me menaxherë të ndryshëm në mënyrë që ata të sjellin lojtarë cilësorë të cilët do t’i japin tjetër pamje Vllaznisë në sezonin e ri që do të nisë në fundin e muajit gusht.
© shkodrasport.com