Tashmë është zyrtare. Faza përgatitore e ekipit të Vllaznisë do të zhvillohet në Slloveni. Drejtuesit e klubit shkodran Kalamishi dhe Grima kanë qenë dy ditët e fundit në këtë vend dhe kanë parë nga afër kushtet që ofronte kampingu ku do të vendoset ekipi kuqeblu dhe kanë mbetur të kënaqur me to. Për këtë arsye, është vendosur që ditën e hënë, ekipi të niset drejt Sllovenisë, për t’u vendosur pikërisht në kampingun e Roglas, që është një nga më të njohurit në këtë vend dhe që ofron kushte të shkëlqyer stërvitjepër ekipe të ndryshme futbolli. Për më tepër që në këtë kamping vijnë për zhvillimin e fazës përgatitore edhe shumë ekipe të tjera nga mbarë bota. Aktualisht aty gjendet edhe ekipi arab Al Hilal dhe miqësorja e parë e Vllaznisë në tokën sllovene do të jetë pikërisht ndaj këtij ekipi. Lajmi konfirmohet nga administratori i klubit shkodran Neritan Kalamishi sipas të cilit, miqësorja ndaj Al Hilal do të zhvillohet ditën e mërkurë. Por përveç kësaj ndeshje, kuqeblutë në 12 ditët e qëndrimit në Rogla do te zhvillojnë edhe tre ndeshje të tjera por emrat e kundërshtarëve ende nuk janë zbardhur. E rëndësishme është që ekipi do të ketë mundësi të zhvillojë një stërvitje në kushte të shkëlqyera e cila do ta ndihmojë atë për nisjen mbarë të sezonit të ri.

www.shkodrasport.com