Federata Shqiptare e Atletikës në mbledhjen e saj të fundit ka vendosur të akordojë disa tituj për figura të njohura të njohura të këtij sporti në Shkodër. Kështu janë nderuar me titullin e lartë “Nderi i atletikës shqiptare” emra të tillë si Oltion Luli, Isak Bala, Vildan Tufi dhe Gëzim Mema. Këto çmime janë dorëzuar pak ditë më parë në një ceremoni të zhvilluar në Shkodër me rastin e shpalljes së sportistëve më të mirë të këtij qyteti.


Kanë asistuar në atë ceremoni edhe presidenti i FSHA-së Gjergj Ruli si dhe sekretari i saj Nikolin Dionisi. Të dy këta zyrtarë kanë folur me nota shumë vlerësuese për katër figurat sportive të Shkodrës që u nderuan me këtë çmim. Në emër të tyre, Oltion Luli, kampioni dhe rekordmeni i Shqipërisë për shumë vite në garat e shpejtësisë, ka thënë: “Sigurisht që ndjehemi mirë që vlerësohemi edhe nga Federata për kontributin që kemi dhënë në vite për këtë sport. Ky titull na bën të ndjehemi më krenar për atë çka kemi bërë dhe na obligon të punojmë edhe më shumë për të”. Luli, Bala, Tufi e Mema, pas viteve ’90 janë emra shumë të njohur të këtij sporti, si sportistë dhe trajnerë dhe ato mund të ndeshen kudo, në çdo garë e në çdo titull kampion.

 

www.shkodrasport.com