Federata Shqiptare e Boksit është treguar e rreptë ndaj atyre që prishën kampionatin kombëtar të të rriturve, i cili u zhvillua javën e kaluar në Vlorë. Kryesia e FSHB zhvilloi një mbledhje, teksa u diskutuan problematikat që nuk kanë lidhje me sportin dhe që krijohen çdo vit në kampionate të ndryshme të boksit.

Kështu, ka qenë vetë presidenti i FSHB, Florent Kalivopulli, që ka folur rreth kësaj problematike dhe është treguar i prerë në kërkesat për zgjidhjen e situatës. I pari i boksit shqiptari vendosi edhe gishtin mbi fajtorët, për të cilët u morën masa të ashpra, deri me pezullime nga aktivitetet kombëtare.

“Kjo situatë është e patolerueshme. Dhu.na dhe bojkoti në fushat e sportit dhe veçanërisht në ringun e boksit, nuk duhet të jetë më. Mungesën e mbarëvajtjes së aktivitetit, unë ia vendos fajin asaj dhune që u shfaq në Vlorë, teksa ishte ai shkaku kryesor i prishjes së kampionatit. Më pas, faji është edhe i bojkotuesve.

Të gjithë ekipet unanimisht në këtë zyrë vendosën që kampionati të mbahej në Vlorë. Nuk e vendosa as unë dhe as klubi i Flamurtarit. Vlora kishte bërë një kërkesë dhe të gjithë vendosën unanimisht që kampionati të bëhej në Vlorë.

Për kampionat të bojkotosh garën, është gjynah, mbi të gjitha për ata sportistë që ishin përgatitur prej një viti. Bojkotin nuk e fal dhe është i patolerueshëm”,-mbylli fjalën e tij presidenti i FSHB, Florent Kalivopulli.

Ndërkohë, për shkak të dhu.nës së shkaktuar javën e kaluar në kampionatin që u zhvillua në Vlorë, është pezulluar për tre vite Flamurtari për të mos organizuar aktivitete kombëtare, boksieri Klevis Çela dhe trajneri i tij Altin Koçi, dy vite nga aktiviteti. Po ashtu, Tirana dhe Teuta kanë humbur për tre vite të drejtën e të qenurit anëtarë të Federatës Shqiptare të Boksit, ndërsa janë paralajmëruar boksieri Gëzim Zeneli, por edhe trajnerët e tjerë si Sead Bushati, Renato Kurti dhe Enton Kikrri.
Maringlen ZHIVANI