Menaxheri i përgjithshëm pranë Federatës Gjermane të Futbollit, Andreas Retig ka sulmuar hapur ditën e djeshme FIFA-s për shkak të Botërorit për Klube, i cili do të mbahet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk e kuptoj arsyen e organizimit të një eventi të tillë. Nuk është mirë për shëndetin e lojtarët, të cilët në vend që të jenë duke pushuar do të bëjnë xhiron e globit për të luajtur një turne”, arsyetoi Retig.
Siç dihet në Kupën e Botës për Klube të këtij viti Bundesliga përfaqësohet nga Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit. Për Retig prania e këtyre dy klubeve është e kuptueshme duke qenë se në lojë janë mjaft para si dhe një shans i mirë për të ekspozuar markën në tregun global.
“I kuptoj drejtuesit e Bajernit dhe të Borusias pasi FIFA po jep shumë para për klubet për prezencën e tyre në këtë turne. Me aq sa e di unë ky turne nuk do të klasifikohet si i një klasi të lartë edhe pse në këtë drejtim ka shumë përplasje mendimesh”, përfundoi 61-vjeçari.