Pasi vendosi për rifillimin e Kategorisë Superiore në datë 3 qershor dhe Kategorisë së Parë në datë 7 qershor, Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron rifillimin po ashtu të Kategorisë së Dytë dhe futbollit të moshave.

FSHF është takuar në 2 ditët e fundit me përfaqësuesit e 2 kategorive kryesore në vend, për të folur në lidhje me datat e rifillimit, me të cilat ra dakord për datat e sipërpërmendura.

Pikërisht pas takimit të sotëm me presidentët e klubeve të Kategorisë së Parë, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së Ilir Shulku shprehu mendimin për zgjerimin e kategorive që do të lejohen të përfundojnë sezonet aktuale.

“Do kemi takime edhe me klubet e Kategorisë së Dytë, me përfaqësues të akademive dhe do vazhdojmë me diskutimet. Jemi të mendimit të luhet futboll në të gjitha nivelet. Shpresojmë edhe në mirëkuptimin e ekspertëve të shëndetësisë dhe të zbatojmë protokollin sanitar, që tashmë është dakordësuar dhe ta mbyllin sezonin në fushë”, deklaroi Shulku.