Pas një pauze 3-mujore për shkak të pandemisë, basketbolli shqiptar bëhet gati për të rifilluar sezonin. Me hapjen e palestrave nga Ministria e Shëndetësisë, u çel edhe drita jeshile për lojërat me dorë, ku skuadrat tashmë u janë rikthyer edhe stërvitjeve.
Në pritje të lejes përfundimtare edhe për rifillimin e aktiviteteve sportive, Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur të japë miratimin e saj për rikthimin në parket për ndeshjet zyrtare, në momentin e parë kur do të hiqen masat shtrënguese të qeverisë.
Gazeta mëson se në mbledhjen e KD-së në FSHB është vendosur paraprakisht për rifillimin e sezonit, ndërsa së shpejti pritet të zbardhet edhe vendimi. Kështu, pas shumë debatesh dhe diskutimesh (kryesisht në klubet e meshkujve, aty ekipet ishin të ndara për vijimin e kampionatit) më në fund sporti i koshit bëhet gati për ta mbyllur në parket edicionin 2019-2020.
Megjithatë, vështirësitë do të jenë të shumta, pasi ende mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet problemi i lojtarëve të huaj. Tri nga ekipet kryesore, Goga, Teuta dhe Vllaznia, e kanë bazën e skuadrës me lojtarë të huaj, të cilët janë rikthyer në shtetet e tyre.
Gjithashtu, pritet të mësohen më shumë detaje rreth formulës dhe datave për pjesën e mbetur të kampionatit. Në radhët e femrave gjatë mbledhjeve “online” të mbajtura mes klubeve dhe federatës, ekipet paraprakisht kanë rënë dakord që kampionati të vijojë me grumbullim në një qytet, ndërsa te meshkujt ekipet që janë pro rifillimit janë shprehur që sezoni të fillojë aty ku është ndërprerë.
KOSOVA
Ndryshe nga Shqipëria, siç dihet, Kosova vendosi për të mos e rinisur sezonin dhe nuk shpalli skuadra kampione. Ndërsa, gjithashtu, për shkak të pandemisë me virusin “COVID19” janë anuluar Euroliga si dhe Liga e Adriatikut (ABA). Ndërkohë, Ballkan Liga, ku merr pjesë edhe Vllaznia, do ta zhvillojë fazën finale në shtator.