Ishte planifikuar të zhvillohej sot kupa në nder të ish-kampionit të çiklizmit Agim Tafili, por ajo është shtyrë për një datë tjetër. Federata Shqiptare e Çiklizmit ka menduar të organizojë një garë në kujtim të kësaj figure të madhe dhe data e menduar fillimisht ishte 15 marsi. Megjithatë ajo tashmë është shtyrë për më vonë teksa mund të zhvillohet muajin e ardhshëm por ndoshta edhe më 19 maj, ditë kur mjeshtri ka edhe ditëlindjen e tij. Gara madje atë ditë mund të shoqërohet edhe me ndonjë ceremoni tjetër që është duke u menduar për t’u organizuar në Shkodër. Në këtë mënyrë, e rëndësishme është që kjo figurë e madhe do të nderohet edhe me një garë me emrin e tij. Pas shpalljes “Qytetar Nderi” nga Berdica- vendlindja e tij, shumë shpejt një shkollë e kësaj komune do marrë emrin e tij dhe po ashtu mund të ketë edhe një titull nga qyteti i Shkodrës si dhe një libër kushtuar jetës dhe karrierës së tij sportive. Në këtë mënyrë figura e Agim Tafilit pritet të lartësohet edhe më tepër, ndonëse për fat të keq pas vdekjes. Presidenti i FSHÇ-së Skënder Anxhaku i pranishëm pak ditë më parë në Berdicë në ceremoninë e dekorimit të kësaj figure, ka premtuar se gara me emrin e Agim Tafilit do zhvillohet patjetër dhe me shumë mundësi do jetë një etapë Shkodër- Pukë- Shkodër. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme.

www.shkodrasport.com