Federata Skoceze ka paralajmëruar tifozët se nuk pret një “shëtitje” në ndeshjen ndaj Shqipërisë në Shkodër, por një sfidë të luftuar dhe jo vetëm si pasojë e mungesave që ka në përbërje. Skocezët kanë bërë bilancin e dy ekipeve në programin e zakonshëm para ndeshjes së fundjavës.

“Lojtarët dhe stafi teknik nuk kanë asnjë dyshim se çfarë lloj performance i nevojitet përballë një skuadre kokëfortë të Shqipërisë”, shkruhet në këtë program që në rreshtat e parë, duke lënë të kuptohet se do të jetë një sfidë mjaft e vështirë.

“Vendasit do të jenë një test i vështirë për pretendimet e Skocisë, pasi janë treguar të vështirë për t’u thyer edhe në takimin mes dy skuadrave më parë këtë vit”, vijon në shkrimin e publikuar në faqen e internetit të Federatës Skoceze të Futbollit.

Aty shpjegohet se ndeshja do të luhet në Shkodër, një stadium i cili i sjell kujtime të lumtura. Kjo, pasi pak muaj më parë, në këtë stadium kombëtarja e femrave të Skocisë mundi 2-1 atë shqiptare dhe siguroi kualifikimin në Botërorin 2019.

Ndërkohë, ajo tregon edhe lojtarët më të rrezikshëm të kuqezinjve. “Eros Grezda po bëhet një emër i njohur për fansat e futbollit skocez, pasi ka firmosur me Rejnxhërs në verë. 23-vjeçari shënoi 2 herë në fitoren e fundit 7-1 të skuadrës së tij ndaj Madhëruell dhe do të kërkojë të shënojë një tjetër gol në arenën ndërkombëtare.

Mbrojtësi i Hajduk Split, Ardian Ismajli, është gati të debutojë në arenën ndërkombëtare, ndërsa lojtari me aftësi teknike, Taulant Xhaka, do të udhëheqë mesfushën shqiptare”, shkruhet në programin e Federatës Skoceze. /vipsport/